Grupi OTP u rendit si banka Evropiane më e vlerësuar në kategorinë e Bankave të Mëdha në klasifikimin vlerësues të publikuar nga “Forbes World’s Top Performing Banks 2026”, – duke u renditur në vendin e 10-të në nivel global, mes bankave homologe.
Hartuar nga Forbes në bashkëpunim me Statista, klasifikimi vlerëson bankat bazuar në tregues objektivë të performancës financiare. Renditja vlerëson institucionet financiare që arrijnë të ruajnë rritje të qëndrueshme, përfitueshmëri të lartë, pozita solide kapitali dhe financimi, si dhe cilësi të lartë të aktiveve gjatë një periudhe shumëvjeçare.
“Historia e OTP Group është unike. Gjatë dekadave të fundit kemi ndërtuar një nga grupet bankare lider në Evropën Qendrore dhe Lindore përmes rritjes së qëndrueshme organike, blerjeve të suksesshme dhe një modeli operimi të disiplinuar. Ajo që e bën këtë vlerësim veçanërisht të rëndësishëm është fakti se ai njeh aftësinë tonë për të kombinuar rritjen e shpejtë, përfitueshmërinë e jashtëzakonshme dhe qëndrueshmërinë afatgjatë. Ky ekuilibër ka qenë në thelb të strategjisë sonë prej shumë vitesh.” – u shpreh z. Péter Csányi, Drejtor i Përgjithshëm i OTP Bank.
Ky klasifikim përbën një tjetër vlerësim të rëndësishëm ndërkombëtar për performancën e OTP Group. Më herët gjatë këtij viti, Grupi u përfshi mes 400 kompanive më të mëdha në botë në renditjen Forbes Global 2000, ndërsa në renditjen më të fundit të performancës bankare evropiane nga S&P Global Market Intelligence, OTP Group u pozicionua mes dy bankave me performancën më të mirë në Evropë, për të tretin vit radhazi.
