Grupi bankar OTP ka mbyllur nëntëmujorin e parë të vitit 2025 me rezultate mbresëlënëse financiare, duke vijuar trendin e qëndrueshëm të rritjes që e karakterizon ndër vite. Fitimi i akumuluar pas tatimit arriti në 2.2 miliardë euro, ndërsa kthimi mbi kapitalin (ROE) shënoi nivelin e lartë prej 22.7%. Këto shifra përfshijnë efektin e njohjes së njëhershme të shpenzimeve të veçanta – si tatimet bankare speciale në Hungari dhe tarifat mbikëqyrëse në Hungari, Bullgari e Slloveni – të regjistruara në fillim të vitit për të gjithë periudhën.
Nëse përjashtohet efekti i këtyre zërave, fitimi pas tatimit arrin në 2.1 miliardë euro, me një rritje prej 3% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe një kthim mbi kapitalin prej 21.8%. Llogaritjet tregojnë se, po të ishin shpërndarë në mënyrë të barabartë gjatë vitit shpenzimet e veçanta, fitimi neto i nëntëmujorit do të kishte qenë edhe më i lartë – me rreth 91 milionë euro shtesë.
Fitimi para tatimit u rrit me 8% në raport me një vit më parë, kryesisht si rezultat i një rritjeje të fortë prej 16% në fitimin operativ. Të ardhurat totale të Grupit u zgjeruan me 13% dhe me 14% të rregulluara për kursin e këmbimit, pa përfshirë efektin e shitjes së filialit në Rumani. Brenda të ardhurave bazë bankare, të ardhurat neto nga interesat u rritën me 9% në krahasim me një vit më parë, duke reflektuar si rritjen organike, ashtu edhe përmirësimin e lehtë të marzhit neto të interesit, që arriti në 4.3%. Rritja e volumit të biznesit ishte faktori kryesor pas këtyre rezultateve.
Nga ana tjetër, shpenzimet operacionale u rritën me 11% në mënyrë organike dhe të rregulluara për kursin e këmbimit, si pasojë e rritjes dyshifrore në shpenzimet për personelin dhe në amortizim. Inflacioni i pagave ndikoi ndjeshëm në kostot për stafin, ndërsa investimet e vazhdueshme në teknologji (IT CAPEX) rritën amortizimin. Megjithatë, raporti i kostos ndaj të ardhurave mbeti në nivele të favorshme – 39.3% – më i ulët se treguesi i vitit të plotë 2024, që ishte 41.3%.
Cilësia e portofolit të kredisë mbeti e qëndrueshme, me tregues pozitivë dhe rritje të vazhdueshme të kredive performuese (Faza 1 dhe 2), të cilat u rritën me 3% kundrejt tremujorit të mëparshëm dhe me 10% që nga fillimi i vitit. Depozitat u rritën me 4% gjatë tremujorit të tretë dhe me 9% që nga fillimi i vitit, të rregulluara për kursin e këmbimit. Raporti neto i kredive ndaj depozitave arriti në 74%, duke ruajtur balancën e shëndetshme të Grupit.
Në fund të shtatorit 2025, raporti i kapitalit bazë të nivelit të parë (CET1) sipas standardeve IFRS ishte 18.4%, me një rënie të lehtë prej 0.5 pikë përqindjeje krahasuar me fundin e vitit 2024, por një përmirësim me 0.4 pikë përqindjeje ndaj tremujorit të mëparshëm. Ndërkohë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit (CAR) qëndroi në nivelin 20.1%, duke reflektuar stabilitet të lartë financiar dhe menaxhim të kujdesshëm të aktiveve.
Grupi OTP ka rikonfirmuar parashikimet për performancën e vitit 2025, duke vlerësuar se trendet pozitive do të vazhdojnë, megjithë pasiguritë gjeopolitike që mbeten të pranishme në rajon. Rezultatet e forta të tremujorit të tretë e pozicionojnë Grupin si një nga institucionet më të qëndrueshme dhe fitimprurëse në sistemin bankar të Evropës Qendrore dhe Lindore.

