Qeveria e Greqisë ka miratuar të martën një paketë subvencionesh për shkak të rritjes së çmimeve të karburanteve. Kjo paketë do të hyjë në fuqi nga 1 korriku dhe do të zgjasë tre muaj, deri në fund të shtatorit.
Sipas kryeministrit Kyriakos Mitsotakis, subvencioni për benzinën e veturave nga I cili përfitojnë mbi 3 milionë drejtues mjetesh është rritur në 80 euro nga 45 që është aktualisht dhe në 60 euro nga 35 për motorët. Në ishuj, subvencioni do të jetë 100 euro për makinat dhe 70 euro për motorët.
Në të njëjtën kohë, kryeministri tha se subvencionimi për naftën po zgjatet me kalimin e kohës. Subvencioni mbetet 12 cent për litër në burim, ndërsa me TVSH arrin në 15 cent për litër.
Efekti në buxhet I këtyre masave të reja arrin në 375 milionë euro, duke bërë që totali i subvencioneve shtetërore vetëm për karburantin të arrijë në 580 milionë euro.
Ndërsa për fermerët, kryeministri bëri të ditur se është përshpejtuar kthimi i Taksës së Posaçme të Konsumit për naftën që blenë në gjysmën e parë të 2022, për fillim të gushtit.
Duke iu referuar çmimit të energjisë elektrike, Mitsotakis vuri në dukje se qeveria mori “dritën jeshile” përfundimtare nga Komisioni për ndërhyrjen që do të bëhet në korrik në lidhje me klauzolën e rregullimit. Ndihma direkte dhe indirekte për rritjen e çmimeve të energjisë tani është 8 miliardë euro.