Task-forca e përbashkët e inspektorëve të Administratës Tatimore dhe Administratës Doganore ka ushtruar kontrolle në terren në Durrës ndaj disa subjekteve që operojnë në sektorin e karburanteve, ku janë konstatuar një sërë shkeljesh të rënda të legjislacionit tatimor dhe tregtar.
Sipas verifikimeve në terren, inspektorët kanë evidentuar mungesë të certifikatave të kalibrimit për pajisjet, moslëshim të faturave tatimore, si dhe prani mallrash pa faturë, konkretisht rreth 3 ton gaz. Gjithashtu, janë konstatuar raste të mosafishimit të listës së çmimeve, mosinstalimit të sistemit të fiskalizimit dhe mosmbajtjes së kasës fiskale në gjendje pune.
Kontrollet janë realizuar në kuadër të planit të përbashkët operacional për monitorimin e tregut të produkteve energjetike, me qëllim formalizimin e tregut, ndalimin e abuzimeve me çmimet dhe mbrojtjen e konsumatorëve. Subjektet janë përzgjedhur fillimisht përmes analizës së riskut, ku janë identifikuar mospërputhje në deklarime dhe detyrime tatimore. Më pas, monitorimi në distancë ka nxjerrë dyshime të arsyeshme për shmangie nga detyrimet, duke çuar në ndërhyrje të drejtpërdrejtë në terren.
Gjatë kontrolleve është sekuestruar dokumentacion jotatimor, me qëllim dokumentimin e shkeljeve dhe vijimin e hetimeve nga strukturat e specializuara të Administratës Tatimore.
Autoritetet bëjnë të ditur se kontrollet në sektorin e karburanteve do të vijojnë në të gjithë territorin e vendit, me fokus luftimin e informalitetit, garantimin e konkurrencës së ndershme dhe mbrojtjen e konsumatorëve nga çdo formë abuzimi.
Në këtë kuadër, Administrata Tatimore u bën thirrje të gjithë tatimpaguesve të zbatojnë legjislacionin tatimor dhe të deklarojnë në mënyrë të saktë aktivitetin e tyre.

