Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Shqipëria është e pozicionuar strategjikisht në rrugën e gazsjellësit Transatlantik që është një lidhje jetike në Korridorin Jugor të gazit.
Kryeministri Rama ishte sot i ftuar nderi i Presidentit Ilham Alijev, duke iu adresuar Samitit të 10-të të Korridorit Jugor të Gazit në Baku, Azerbajxhan.
Rama nënvizoi se “Shqipëria është 100% e mbështetur si vend në energjinë e ripërtëritshme, por kërkon të diversifikojë burimet e energjisë, që aktualisht mbështeten në burime hidrike.
“Sigurisht, ne synojmë të kapitalizojmë më tej mbi këtë korridor transformues, duke orientuar investimet drejt projekteve të energjisë së ripërtërishme dhe zhvillimit të infrastrukturës së qëndrueshme”, theksoi ai.
Kryeministri u ndal te ecuria e projekteve të përbashkëta në fushën e energjisë, ku tanimë është gati studimi i gazifikimit të zonës së Korçës, si hap i parë i programit të shtrirjes së gazit për konsum të përgjithshëm në Shqipëri.
“Shqipëria dhe Azerbajxhani do të zhvillojnë më tej projekte në interes të përbashkët, në rrugën e një miqësie e partneriteti që vetëm do të forcohet në çdo hap. Miqtë tanë azerbajxhanas kanë qenë të paçmuar vërtet me ekspertizën e tyre teknike për të hartuar skenarët më të mirë të mundshëm për shfrytëzimin e infrastrukturës sonë ekzistuese e për t’ia përshtatur atë përballimit të sfidave aktuale energjetike dhe nuk mund të jemi më shumë sesa kaq mirënjohës për këtë”, theksoi kryeministri.
Aktualisht, ai nënvizoi se në “Shqipëri po kërkojmë të ecim përpara drejt projektit të gazifikimit të vendit edhe falë mbështetjes së presidentit Alyev keni nisur këtë proces gazifikimi duke shkuar kundër asaj që në traditën tonë historike që na ishte privuar”.

