Këshilli i Ministrave ka hapur garën për postin e kreut të Komisionit të Prokurimit Publik, duke qënë se drejtuesi aktual, Joniad Muzyri, është në përfundim mandati. Referuar kërkesave ligjore dhe njoftimit të bërë nga Kryeministria, aplikanti duhet të jetë shtetas shqiptar, me arsim të lartë për drejtësi, si dhe të ketë një periudhë 8-vjeçare përvoje punë, nga ku, tre vite t’i ketë në fushën e prokurimeve dhe dy vite në pozicione drejtuese.
Gjithashtu, aplikanti nuk duhet të jetë i dënuar me vendim të formës së prerë për kryerjen e një vepre penale, të mos jetë i larguar nga puna me masë disiplinore ose të ketë një masë të tillë në fuqi, si edhe nuk duhet të jetë në procedim penal për kryerjen e një vepre penale.
Afati për dorëzimin e aplikimeve është data 27 Janar 2025 dhe më tej, pas procedurave përzgjedhëse Këshilli i Ministrave do t’ia përcjellë emrat e kualifikimit Kuvendit për të ndjekur procedurat përkatëse.
Referuar ligjit për prokurimin publik, Komisioni i Prokurimit Publik (KPP) është organi më i lartë administrativ në fushën e prokurimeve që shqyrton ankesat për procedurat e prokurimit, koncesionet/partneritetin publik privat, ankandet publike dhe procedurat konkurruese të dhënies së lejeve minerare.
Ky Komision përbëhet nga 5 anëtarë, nga të cilët Kryetari dhe Nënkryetari. Të gjithë anëtarët, emërohen nga Kuvendi me propozim të Këshillit të Ministrave për një mandat 5-vjeçar me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë.
