Qeveria franceze po planifikon të dërgojë një letër të gjithë të rinjve 29-vjeçarë në vend, duke i inkurajuar të mendojnë për të pasur fëmijë para se të jetë “tepër vonë”, si pjesë e një plani më të gjerë për të ndalur rënien e lindjeve.
Letrat do t’u dorëzohen qindra mijëra të rinjve dhe synojnë të ofrojnë informacione “të targetuara, të balancuara dhe shkencërisht të bazuara” mbi shëndetin seksual dhe riprodhues, me qëllim të shmangin mentalitetin “po ta kisha ditur më herët”.
Ky veprim është pjesë e një plani me 16 pika të qeverisë për të përballuar rënien e shifrave të lindjeve në Francë, të cilat kanë rënë në nivele që nuk janë regjistruar që prej vitit 1918.
Sipas zyrtarëve, çështja kryesore që po nxit këtë iniciativë është infertiliteti, i cili prek gati një në tetë çifte në Francë.
Letrat dërgohen tek personat e moshës 29 vjeç sepse në këtë moshë, gratë në Francë mund të ngrijnë vezët e tyre pa nevojë për një certifikatë mjekësore. Gjithashtu, letra do t’u kujtojë grave se sigurimi shoqëror i Francës mbulon koston e ngrirjes së vezëve për gratë midis moshave 29 dhe 37 vjeç.
Fushata i adreson edhe “orët biologjike” të të dy gjinisë, duke pranuar se “orët biologjike nuk janë të njëjta, por edhe burrat kanë të tilla”.
Ministrja e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, tha se qeveria kërkon të edukojë të rinjtë për fertilitetin dhe opsionet si ngrirja e vezëve, por nuk ka për qëllim të detyrojë njerëzit të kenë fëmijë.
Megjithatë, masa ka marrë edhe kritika — disa ekspertë thonë se ndryshimet si zgjatja e pushimit të lindjes mund të kenë një ndikim më të madh në shtimin e lindjeve, ndërsa të rinjtë kanë shprehur shqetësime për situatën e tyre ekonomike dhe mjedisore që i çon të shtyjnë krijimin e familjes./Përshtati nga The Independent, ekofin.al
