Ligjvënësit në dhomën e ulët të parlamentit francez, Asamblenë Kombëtare, miratuan të mërkurën një masë për të pezulluar një reformë të debatueshme të pensioneve.
Votimi, që kaloi me 255 pro dhe 146 kundër, pasoi një lëshim të madh të bërë nga kryeministri Sébastien Lecornu ndaj Partisë Socialiste për të shmangur mocionin e mosbesimit dhe për të siguruar mbijetesën e qeverisë.
Debatet mbi buxhetin në Francë kanë marrë rëndësi të veçantë që nga zgjedhjet e parakohshme të vitit të kaluar të thirrura nga presidenti Emmanuel Macron, të cilat prodhuan një parlament pa shumicë. Më herët këtë vit, deputetët votuan për të rrëzuar kryeministrin François Bayrou, pasi ai kërkoi një votë besimi të paprecedentë mbi planin e tij të diskutueshëm buxhetor për vitin 2026.
Investitorët dhe disa nga partnerët evropianë të Francës po ndjekin nga afër këtë trazirë politike, ndërsa vendi — që ka ndërruar pesë kryeministra në vetëm dy vite — përpiqet të frenojë deficitin buxhetor, tashmë më të madhin në eurozonë.
Deficiti publik i Francës arriti në 5.8% të PBB-së në vitin 2024, duke totalizuar 168.6 miliardë euro — shumë mbi kufirin maksimal të lejuar nga rregullat e BE-së. Ndërsa deputetët kanë miratuar pezullimin e reformës së pensioneve, ata duhet gjithashtu të miratojnë në një votim të mëvonshëm të gjithë projektligjin për sigurimet shoqërore që masa të hyjë në fuqi.
Pas një fillimi të vështirë, përpjekja e dytë e Lecornu-t për të formuar qeveri ka bërë disa përparime, duke arritur të kalojë pjesë të buxhetit në parlament falë kompromisesh të kushtueshme.
Një nga marrëveshjet më të mëdha ishte oferta ndaj Socialistëve për të pezulluar planin e Macron për ta rritur moshën e daljes në pension në 64 vjeç, çka praktikisht e mban kufirin në 62 vjet e nëntë muaj, të paktën deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2027.
“Tre e gjysmë milionë francezë do të mund të dalin më herët në pension. Po tregojmë se basti mbi konsensusin jep rezultat,” deklaroi deputetja socialiste Mélanie Thomin pas votimit.
Por këto lëshime mbi pensionet dhe shkurtimet e tjera të shpenzimeve ka gjasa të dëmtojnë ndjeshëm objektivin e qeverisë për të ulur deficitin me 30 miliardë euro.
Asnjë vlerësim i rishikuar ende nuk është publikuar, pasi forma përfundimtare e buxhetit mbetet e paqartë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
