Çmimet e arit dhe argjendit vijojnë të jenë nën presion në tregjet ndërkombëtare, duke regjistruar humbje të konsiderueshme gjatë ditëve të fundit, por edhe në krahasim me një vit më parë.
Sipas të dhënave të platformës GoldPrice.org, këtë të mërkurë, më 25 nëntor 2026, në orën 13:51 me orën e Shqipërisë, ari kuotohej në 3,516.42 dollarë për ons, ndërsa argjendi në 39.94 dollarë për ons.
Ari humbet terren, zbret pranë 3,500 dollarëve për ons
Çmimi i arit ka pësuar luhatje të forta gjatë seancave të fundit të tregtimit, me një tendencë përgjithësisht në rënie.
Më 17 nëntor, ari kuotohej në 3,849.21 dollarë për ons, ndërsa më 19 nëntor zbriti në 3,624.63 dollarë dhe më 20 nëntor në 3,538.19 dollarë.
Pas një rikuperimi të përkohshëm të hënën, kur çmimi arriti në 3,634.80 dollarë për ons, metali i çmuar është rikthyer në territor negativ.
Krahasuar me 17 nëntorin, ari ka humbur rreth 333 dollarë për ons, ose 8.6% të vlerës, në harkun e tetë ditëve.
Në krahasim me nivelin prej 4,082 dollarësh për ons të raportuar një vit më parë, çmimi aktual i arit rezulton rreth 13.9% më i ulët.
Argjendi zbret nën 40 dollarë për ons
Rënie edhe më të fortë në përqindje ka regjistruar argjendi, çmimi i të cilit ka zbritur nën kufirin e 40 dollarëve për ons.
Argjendi ka humbur rreth 11% të vlerës gjatë një jave, mbi 25% gjatë një muaji dhe mbi 21% në harkun e 12 muajve.
Ndër faktorët që ndikojnë në ecurinë e çmimeve të metaleve të çmuara janë pritshmëritë për politikën monetare të Rezervës Federale amerikane, normat e interesit, ecuria e dollarit dhe kthimet nga obligacionet e thesarit amerikan.
Normat e larta të interesit përgjithësisht ulin atraktivitetin e investimeve në ar dhe argjend, pasi këto aktive nuk gjenerojnë të ardhura periodike nga interesi.
Sa kushton një gram ar dhe argjend sot?
Duke marrë në konsideratë se një ons troje, njësia matëse që përdoret në tregtimin ndërkombëtar të metaleve të çmuara, është e barabartë me 31.1035 gramë, çmimi i një grami ar të pastër sot rezulton në 113.06 dollarë, ndërsa ai i një grami argjend në 1.28 dollarë.
Në tregjet ndërkombëtare, një kilogram ar vlerësohet aktualisht në rreth 113,056 dollarë, ndërsa një kilogram argjend në rreth 1,284 dollarë.
Çmimet ndërkombëtare i referohen metaleve të pastra dhe nuk përfshijnë kostot e përpunimit, marzhet tregtare apo detyrimet fiskale që mund të ndikojnë në çmimin përfundimtar të shitjes në argjendari./ekofin.al
