Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka refuzuar në kufi tre ngarkesa me produkte ushqimore gjatë muajit nëntor 2026, duke bllokuar dhe vendosur kthimin në vendet e origjinës të 79 tonëve produkte, për shkak të mospërputhjeve në dokumentacion dhe problematikave me etiketimin.
Sipas të dhënave të AKU-së, gjatë këtij muaji në Pikat e Inspektimit Kufitar (PIK) janë importuar gjithsej 5 277 ngarkesa, nga të cilat 1 276 me origjinë shtazore, 2 834 me origjinë joshtazore dhe 1 167 ngarkesa me produkte të mbrojtjes së bimëve dhe inpute bujqësore.
Në kuadër të kontrolleve janë marrë gjithsej 167 mostra, analizat e të cilave nuk kanë evidentuar deri më tani raste jokonforme.
Nga kontrollet në PIK Durrës janë bllokuar dy ngarkesa me 54 tonë mish pule, të importuara nga kompania “ZICO” sh.a., me origjinë nga Brazili.
Sipas AKU-së, vendimi për kthimin e tyre në vendin e origjinës është marrë pasi të dhënat e certifikatave shoqëruese nuk përputheshin me informacionin e regjistruar në sistem. Ndërsa në PIK Morinë është refuzuar një ngarkesë me 7 tonë miell gruri të tipit 400 dhe 500, si dhe 18 tonë produkt “Hime gruri”, të importuara nga subjekti “Mirela Bërdufi”, me origjinë nga Kosova.
AKU bën të ditur se gjatë kontrollit u konstatuan mangësi të theksuara në dokumentacionin shoqërues. Për një pjesë të konsiderueshme të miellit nuk lexohej data e prodhimit dhe e skadencës, kishte mospërputhje në nivelin e proteinave mes ambalazhit dhe dokumenteve, si dhe mungonin numri i lotit dhe fleta e analizës për aflatoksinën.
Probleme me gjurmueshmërinë u konstatuan edhe te produkti “Hime gruri”, pasi etiketat nuk përmbanin numrin e lotit, duke pamundësuar lidhjen e produktit me dokumentacionin shoqërues.
Autoriteti Kombëtar i Ushqimit thekson se do të vijojë kontrollet në pikat kufitare, me synim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve.
