Shoqatat e transportit urban dhe ndërurban njoftojnë se shërbimi në të gjithë vendin do të fillojë në orën 08:00 dhe jo në orarin e zakonshëm, në shenjë proteste ndaj rritjes së propozuar të TVSH-së nga 20% në 21%.
Protesta vjen në prag të seancës plenare të Kuvendit të Shqipërisë, ku më 26 nëntor është parashikuar votimi i Paketës Fiskale dhe Projektbuxhetit të Shtetit për vitin 2027. Sipas operatorëve, rritja e TVSH-së do të përkthehet në një rritje të çmimit të biletës, duke rënduar drejtpërdrejt qytetarët që përdorin transportin publik.
Shoqatat argumentojnë se transporti publik është një shërbim thelbësor për aksesin në punë, arsim, shëndetësi dhe shërbime të tjera, ndaj kërkojnë që rritja e barrës fiskale të mos reflektohet në koston e udhëtimit për qytetarët.
“Qëllimi ynë është të shmangim rritjen e çmimit të biletës dhe transferimin e barrës shtesë fiskale te qytetarët”, thuhet në njoftimin e tyre.
Operatorët u bëjnë thirrje institucioneve përgjegjëse të marrin në konsideratë kërkesat e tyre, në funksion të ruajtjes së çmimit të biletës dhe vijimësisë së shërbimit publik, ndërsa kërkojnë mirëkuptimin e qytetarëve për shqetësimin e krijuar nga ndërprerja e përkohshme.
Pezullimi i transportit pritet të prekë veçanërisht qytetarët që udhëtojnë në orët e mëngjesit për në punë dhe shkolla, në një ditë kur në Kuvend pritet të shqyrtohen ndryshimet fiskale për vitin e ardhshëm. /ekofin.al
