Miliarderët e teknologjisë Michael Dell dhe Susan Dell njoftuan se do të dhurojnë 6.25 miliardë dollarë për të krijuar rreth 25 milionë “Llogari Trump” shtesë për fëmijët në të gjithë vendin.
Këto llogari do të hapen fillimisht me nga 250 dollarë secila dhe do të jenë të disponueshme për fëmijët që e kanë humbur afatin e kualifikimit për “Llogaritë Trump” federale prej 1,000 dollarësh për foshnjat e lindura pas 1 janarit 2025.
Michael Dell do t’i bashkohet presidentit Donald Trump të martën në White House për ta shpallur nismën personalisht.
Trump shkroi në rrjetin e tij social Truth Social: “DY NJERËZ TË MREKULLUESHËM. E DUA DELL!!!”, duke bashkëngjitur një lidhje për lajmin e dhuratës.
“Këto depozita do të mbërrijnë në llogaritë e shumicës së fëmijëve të moshës 10 vjeç e poshtë, të lindur para datës kualifikuese për kontributin federal për të porsalindurit,” thanë Dell-ët në një deklaratë të lëshuar nga fondacioni i tyre.
“Fëmijët mbi 10 vjeç mund të përfitojnë gjithashtu, nëse fondet mbeten të disponueshme pas regjistrimeve fillestare,” shtoi familja Dell. “Është një hap jashtëzakonisht praktik dhe i drejtpërdrejtë për t’i ndihmuar familjet të fillojnë kursimin që sot.”
Familja Dell thotë se “beson se kjo përpjekje do të zgjerojë mundësitë, do të forcojë komunitetet dhe do të ndihmojë më shumë fëmijë të marrin në dorë të ardhmen e tyre”.
Sipas organizatës jofitimprurëse Invest America, dhurata e familjes Dell “pritet të arrijë pothuajse 80% të fëmijëve 10 vjeç e poshtë në 75% të kodeve postare të SHBA-së”.
Fëmijët e lindur pas 1 janarit dhe deri më 31 dhjetor 2028 do të përfitojnë një llogari të pajisur me një investim prej 1,000 dollarësh nga U.S. Treasury, si pjesë e ligjit të miratuar së fundmi One Big Beautiful Bill.
Këto llogari do të jenë gjithashtu të kualifikueshme për kontribute shtesë deri në 5,000 dollarë në vit, derisa fëmija përfitues të mbushë 18 vjeç. Tërheqjet nga llogaritë nuk lejohen deri në atë moshë.
Sipas Këshillit të Këshilltarëve Ekonomikë të White House, “Llogaritë Trump” mund të investohen vetëm në fonde indeksimi me kosto të ulët ose në ETF që pasqyrojnë S&P 500 ose “një tjetër indeks amerikan të aksioneve”.
“Këto llogari investimi janë të thjeshta, të sigurta dhe të strukturuara për të rritur vlerën nëpërmjet kthimeve të tregut me kalimin e kohës,” tha familja Dell.
“Llogaritë Trump përfaqësojnë një mjet potencialisht të vlefshëm për ndërtimin e kursimeve dhe për shfrytëzimin e fuqisë së rritjes së përbërë për të rinjtë,” shkroi së fundmi Hayden Adams, drejtor i planifikimit tatimor në Charles Schwab.
Nëse një familje do të mund të kontribuonte dhe të investonte shumën maksimale prej 5,000 dollarësh në vit në këto llogari, dhe me një normë të arsyeshme rritjeje rreth 6%, “deri në moshën 18-vjeçare, llogaria e fëmijës do të mbante rreth 191,000 dollarë në aktive”.
Pasi një fëmijë mbush 18 vjeç, llogaritë mund të konvertohen në një llogari tradicionale individuale pensioni (IRA), “që do të thotë se mund të vazhdojë të grumbullojë fitime potenciale mbi bazë të përjashtuar nga taksat” për shumë vite.
Familja Dell është një nga familjet më të pasura në Amerikë, me një pasuri prej afro 150 miliardë dollarësh, sipas Bloomberg Billionaires. Burimi kryesor i pasurisë së familjes është Dell Technologies, kompania e themeluar nga Michael Dell në vitin 1984.
Vitet e fundit, vlera e aksioneve të Dell është nxitur nga bumi i revoluсionit të inteligjencës artificiale (AI), për të cilin Dell është furnizues serverësh dhe teknologjish të tjera./Përshtati nga NBC News, ekofin.al
