Në vitin 2024, banorët e Bashkimit Europian të moshës 15 vjeç e lart realizuan pothuajse 1.2 miliardë udhëtime turistike, me një kohëzgjatje mesatare prej 5.0 netësh për udhëtim. 56.3% e udhëtimeve ishin të shkurtra, nga 1 deri në 3 netë, ndërsa 43.7% zgjatën 4 netë ose më shumë.
Sipas të dhënave të Eurostat, preferenca kryesore mbeti udhëtimi brenda vendit të banimit: gati 3 nga 4 udhëtime ishin domestike, me një mesatare prej 4 netësh, ndërsa udhëtimet jashtë vendit kishin një qëndrim më të gjatë, 8 netë mesatarisht.
Në total, evropianët shpenzuan rreth €617.914 milionë për udhëtime turistike. Udhëtimet e gjata jashtë vendit përbënin pjesën më të madhe të shpenzimeve, me 50.5% të totalit. Shpenzimi mesatar për person për një udhëtim ishte €518, ndërsa shpenzimi mesatar për natë €104, me diferenca të mëdha: nga €78 për natë në udhëtime të gjata brenda vendit, deri në €224 për natë në udhëtime të shkurtra jashtë vendit.
71% e udhëtimeve brenda vendit të banimit
Gjatë vitit 2024, banorët e BE-së realizuan 1.2 miliardë udhëtime (për qëllime personale ose profesionale) dhe kaluan pothuajse 6 miliardë netë jashtë shtëpisë. Shpenzimet turistike arritën në rreth €618 miliardë.
71% e udhëtimeve ishin domestike, por ato përfaqësonin vetëm 55% të netëve dhe 42% të shpenzimeve totale, pasi ishin përgjithësisht më të shkurtra dhe më të lira. Vetëm në Belgjikë, Luksemburg, Maltë dhe Slloveni tregu i brendshëm nuk ishte dominues.
Italia dhe Spanja, destinacionet kryesore jashtë vendit
Mesatarisht në BE, 29% e udhëtimeve u kryen jashtë vendit: 21% në një tjetër vend të BE-së dhe 8% jashtë BE-së.
Italia ishte destinacioni i parë për nga numri i udhëtimeve, me 10.7% të të gjitha udhëtimeve jashtë vendit, e ndjekur nga Spanja me 10.4%. Për nga netët e qëndrimit dhe shpenzimet, Spanja kryesoi me 11.7% dhe 11.1%, ndërsa Italia pasoi me 10.2% dhe 9.7%.
Italia ishte destinacioni kryesor për 36.3% të udhëtimeve jashtë vendit të banorëve të Maltës, si edhe për shumicën e udhëtimeve jashtë vendit të rumunëve (19.3%), italianëve (18.4%), grekëve (14.4%) dhe gjermanëve (13.8%). Turistët francezë, italianë dhe portugezë shpenzuan më shumë udhëtime jashtë vendit në Spanjë, përkatësisht 17.3%, 16.3% dhe 39.5%.
Jashtë BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Turqia dhe Zvicra ishin tre destinacionet kryesore për nga numri i udhëtimeve. Destinacionet jashtë kontinentit europian përbënin vetëm 13.1% të udhëtimeve jashtë vendit: 4.5% drejt Afrikës, 4.2% drejt Azisë dhe 4.1% drejt Amerikës.
Vetëm 1 në 10 udhëtime për qëllime profesionale
Më shumë se gjysma e udhëtimeve (53.2%) kishin si qëllim pushimet, argëtimin dhe rekreacionin, ndërsa 31.6% ishin për vizita te të afërmit dhe miqtë. Në total, udhëtimet për qëllime personale përbënin 89.7% të të gjitha udhëtimeve turistike.
Në vitin 2024 u realizuan mbi 123 milionë udhëtime profesionale, ose 10.3% e totalit. 72.1% e tyre ishin brenda vendit dhe 75.6% zgjatën maksimumi 3 netë.
Mjeti i transportit: dominon automjeti
Automjetet (private ose me qira) ishin mjeti kryesor për 64.1% të udhëtimeve, të ndjekura nga transporti ajror (16.2%) dhe hekurudha (13.2%). Në Maltë, rrugët ujore përbënin 42.2% të udhëtimeve, ndërsa në Greqi 16.2%. Banorët e Bullgarisë, Estonisë dhe Rumanisë përdorën autobusin për më shumë se 10% të udhëtimeve.
Për udhëtimet brenda vendit dominuan automjetet (75.2%), hekurudha (16.1%) dhe autobusi (4.1%). Për udhëtimet jashtë vendit, mjeti kryesor ishte avioni (49.8%), i ndjekur nga automjetet (36.4%) dhe hekurudha (6.1%).
Këto të dhëna në nivel BE-je tregojnë prirjet e përgjithshme, por fshehin dallime të mëdha mes vendeve, të cilat analizohen më në detaje në artikujt përkatës kombëtarë.

