Transformimi digjital në Bashkimin Europian po përparon, por ritmi mbetet i pamjaftueshëm për të arritur objektivat e vendosura deri në fund të dekadës.
Të dhënat më të fundit të Eurostat tregojnë se vetëm 60% e qytetarëve të BE-së zotërojnë aftësi bazë digjitale, ndërsa objektivi i Komisionit Europian është që kjo përqindje të arrijë në 80% deri në vitin 2030. Shqipëria nuk është pjesë e këtij krahasimi, por të dhënat më të fundit të INSTAT tregojnë se përdorimi i internetit në vend vijon të rritet.
Komisioni Europian e konsideron zhvillimin e aftësive digjitale si një nga shtyllat kryesore të “Dekadës Digjitale 2030”. Megjithatë, sipas publikimit të Eurostat, mesatarja e vendeve anëtare ka arritur vetëm në 60%, çka do të thotë se katër në dhjetë europianë ende nuk zotërojnë aftësitë bazë të nevojshme për të përfituar plotësisht nga ekonomia dhe shërbimet digjitale.
Holanda dhe Irlanda kanë tejkaluar objektivin e BE-së
Në krye të renditjes qëndron Holanda, ku 84% e popullsisë së moshës 16-74 vjeç zotëron aftësi bazë digjitale. Pas saj renditet Irlanda me 83%, ndërsa Danimarka dhe Finlanda kanë arritur secila në 81%, duke tejkaluar objektivin europian prej 80% të vendosur për vitin 2030.
Në fund të renditjes ndodhen Rumania, ku vetëm 32% e popullsisë ka aftësi bazë digjitale, dhe Bullgaria me 38%, duke treguar se hendeku digjital vazhdon të jetë i thellë edhe brenda Bashkimit Europian.
Arsimi dhe mosha ndikojnë drejtpërdrejt
Eurostat evidenton se niveli i aftësive digjitale ndryshon ndjeshëm në varësi të nivelit arsimor dhe grupmoshës. Në nivel europian, 82% e personave me arsim të lartë zotërojnë aftësi bazë digjitale, ku kjo përqindje bie në vetëm 38% tek personat me nivel të ulët arsimor.
Diferenca është e dukshme edhe sipas moshës. Rreth 75% e të rinjve 16-34 vjeç kanë aftësi bazë digjitale, ndërsa tek grupmosha 65-74 vjeç kjo përqindje zbret në vetëm 33%.
Shqipëria jashtë raportit të Eurostat, por përdorimi i internetit vijon të rritet
Shqipëria nuk përfshihet në këtë publikim të Eurostat, pasi ai analizon vetëm shtetet anëtare të Bashkimit Europian.
Megjithatë, të dhënat më të fundit të INSTAT, të publikuara në raportin “Përdorimi i Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit në Njësitë Ekonomike Familjare 2025”, tregojnë se vendi po shënon progres në përdorimin e teknologjisë.
Sipas raportit, 87,2% e popullsisë shqiptare të moshës 16-74 vjeç përdor internetin, nga 86,2% një vit më pare, 97,3% e përdoruesve të internetit lidhen në internet disa herë gjatë ditës, çka tregon se interneti është bërë pjesë e pandashme e jetës së përditshme.
Anketa është realizuar në periudhën maj-korrik 2025, mbi një kampion prej 7.200 familjesh, ku u intervistuan 5.413 njësi ekonomike familjare, me një normë përgjigjeje prej 75,2%.
Përdorimi i internetit nuk do të thotë domosdoshmërisht aftësi digjitale
Ndërsa INSTAT mat kryesisht përdorimin e internetit, pajisjeve dhe shërbimeve elektronike, treguesi i Eurostat për aftësitë digjitale vlerëson nëse qytetarët janë në gjendje të kryejnë veprime më të avancuara, si, krijimi dhe menaxhimi i përmbajtjes digjitale, mbrojtja e të dhënave personale, zgjidhja e problemeve teknologjike, përdorimi i aplikacioneve dhe shërbimeve digjitale në punë dhe në jetën e përditshme.
Kjo do të thotë se një nivel i lartë i përdorimit të internetit nuk përkthehet automatikisht në aftësi të larta digjitale.
Aftësitë digjitale, një sfidë edhe për ekonominë
Rritja e aftësive digjitale konsiderohet një element kyç për konkurrueshmërinë ekonomike. Bizneset kanë gjithnjë e më shumë nevojë për punonjës me kompetenca digjitale, ndërsa administrata publike po zhvendos një pjesë të madhe të shërbimeve në platformat online.
Për Shqipërinë, rritja e përdorimit të internetit është një sinjal pozitiv, por sfida mbetet zhvillimi i aftësive digjitale të popullsisë në nivele të krahasueshme me standardet europiane. Kjo do të jetë vendimtare jo vetëm për procesin e integrimit në Bashkimin Europian, por edhe për rritjen e produktivitetit, inovacionit dhe konkurrueshmërisë së ekonomisë shqiptare.

