Punëdhënësit paguan kontribute të sigurimit shëndetësor për 722,573 punonjës në prill 2025, por në regjistrin e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor figuronin vetëm 142,319 punëmarrës me kartë aktive.
Hendeku prej më shumë se 580 mijë personash nxjerr në pah mospërputhjen ndërmjet numrit të punonjësve për të cilët administrata tatimore mbledh kontribute dhe atyre që Fondi regjistron si kontribuues aktivë.
Sipas raportit të Bankës Botërore për sektorin shëndetësor në Shqipëri, të dhënat e Fondit përfshijnë vetëm punonjësit që janë regjistruar ose verifikuar individualisht dhe kanë marrë një kartë shëndeti aktive. Për rrjedhojë, statistikat e regjistrimit nuk pasqyrojnë të gjithë personat për të cilët janë paguar kontribute.
Karta e shëndetit për punëmarrësit ka vlefshmëri njëvjeçare. Nëse nuk rinovohet përmes mjekut të familjes, ajo nuk konsiderohet më aktive në sistem, edhe kur punëdhënësi vazhdon të paguajë kontributet.
Punonjësi mund ta riaktivizojë kartën kur ka nevojë dhe nuk humbet të drejtën për shërbime. Megjithatë, kjo mënyrë regjistrimi krijon një panoramë të paplotë të mbulimit real dhe e bën të vështirë përcaktimin e numrit të kontribuuesve aktivë në skemë.
Vetëm 154 mijë kontribuues me regjistrim aktiv
Krahas 142,319 punëmarrësve, në prill 2025 Fondi kishte të regjistruar 10,015 të vetëpunësuar dhe 2,390 persona me sigurim vullnetar. Në total, numri i anëtarëve që paguanin kontribute dhe rezultonin aktivë në sistem ishte 154,724.
Kjo kategori përbënte vetëm 11.7% të 1,325,087 personave të regjistruar gjithsej në Fond. Pjesa dërrmuese, 1,170,363 persona ose 88.3% e totalit, mbulohej përmes subvencionimit nga buxheti i shtetit.
Në raport me popullsinë prej 2.36 milionë banorësh, Fondi kishte të regjistruar 56.1% të popullsisë. Megjithatë, edhe kjo shifër pasqyron vetëm statusin aktiv në sistem dhe jo domosdoshmërisht të gjithë personat që kanë të drejtë ligjore për mbulim.
Hendeku më i madh te të vetëpunësuarit
Baka Botërore thotë se mospërputhja është veçanërisht e theksuar te të vetëpunësuarit. Anketa e Forcave të Punës e vitit 2023 identifikonte 393,603 të vetëpunësuar, ndërsa në regjistrin e Fondit në prill 2025 figuronin vetëm 10,015 persona me status aktiv, ose 2.5% e numrit të evidentuar nga anketa.
Për punëmarrësit, 142,319 kartat aktive përfaqësonin 21.9% të 650,167 të punësuarve të identifikuar nga Anketa e Forcave të Punës.
Krahasimi bashkon të dhëna të periudhave dhe metodologjive të ndryshme, pasi regjistrimet e Fondit i përkasin prillit 2025, ndërsa të dhënat e tregut të punës vitit 2023. Megjithatë, diferencat evidentojnë dobësitë në regjistrim, shkëmbimin e të dhënave dhe përfshirjen e të vetëpunësuarve në skemë.
Banka Botërore vlerëson se procedurat më të thjeshta dhe subvencionimi i pjesshëm në fazën fillestare mund të sjellin në sistem edhe 300 mijë deri në 350 mijë të vetëpunësuar dhe persona të angazhuar në mënyrë informale.
Kontributet mbulojnë vetëm 36% të të ardhurave të Fondit
Sipas raportit, norma e kontributit shëndetësor në Shqipëri është 3.4% e pagës bruto dhe ndahet në mënyrë të barabartë ndërmjet punëmarrësit dhe punëdhënësit.
Në buxhetin e vitit 2025, të ardhurat nga kontributet parashikoheshin në 23.4 miliardë lekë, ose 36.1% e të ardhurave të përgjithshme të Fondit. Transferta nga Ministria e Shëndetësisë arrinte në rreth 41.5 miliardë lekë dhe përbënte 63.9% të financimit.
Varësia e lartë nga buxheti lidhet me numrin e madh të kategorive të subvencionuara, por edhe me bazën e kufizuar të kontribuuesve që regjistrohen dhe evidentohen aktivisht në sistem.
Banka Botërore kërkon transferim automatik të të dhënave dhe fondeve ndërmjet administratës tatimore dhe Fondit të Shëndetit. Integrimi i sistemeve do të mundësonte që punonjësit për të cilët paguhen kontribute të pasqyroheshin automatikisht në regjistrin e Fondit, duke përmirësuar saktësinë e raportimit dhe matjen e mbulimit real./ekofin.al


