Shqiptarët jashtë vendit po vijojnë të dërgojnë më shumë para në drejtim të familjeve të tyre dhe një pjesë të konsiderueshme e dërgesave është në para cash. Sipas të dhënave të fundit të publikuara nga Banka e Shqipërisë, remitancat arritën në 251 milionë euro në 3 muajt e parë të vitit, me një rritje prej 4% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
“Të ardhurat dytësore u vlerësuan në 301 milionë euro. Rreth 83% e të ardhurave dytësore përfaqësohet nga “të ardhurat nga emigrantët”. Prurjet valutore të emigrantëve, shënuan rreth 251 milionë euro, në rritje vjetore (4%). Gjatë periudhës është vërejtur zgjerim jo vetëm në volumin e dërgesave përmes kanaleve formale (sistem bankar), por edhe prurjeve në cash,” theksohet në njoftimin e Bankës së Shqipërisë.
Shqipëria është ndër kombet që pjesën më të madhe të popullsisë e ka jashtë territorit të saj, të shpërndarë kryesisht në shtete si Italia, Greqia, Gjermania, Britania, SHBA, etj. Një pjesë e konsiderueshme e emigrantëve që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit nisin para në drejtim të familjeve të tyre për t’i mbështetur sado pak për të përballuar jetesën.
Vitet e fundit, dërgesat e kryera nga emigrantët në drejtim të familjeve të tyre janë zhvlerësuar, për shkak të zhvlerësimit të vazhdueshëm të euros kundrejt lekut. Megjithatë, në vlerë nominale, remitancat vijojnë rritjen vit pas viti. /ekofin.al