CEO i Tesla-s, Elon Musk, ka rifituar paketën e kompensimit të vitit 2018, pasi Delaware Supreme Court riktheu vendimin që i jepte atij një shpërblim gjigant, i cili ishte shpallur dy herë i pavlefshëm nga një gjykatë më e ulët.
Paketa i jepte Musk-ut të drejtën për të blerë 303 milionë aksione të rregulluara pas ndarjes së aksioneve, një kompensim me vlerë rreth 139 miliardë dollarë sipas çmimit të mbylljes së aksioneve të së premtes.
Kancelarja e Gjykatës së Kancelarisë në Delaware, Kathaleen McCormick, e cila kishte shqyrtuar çështjen, kishte konstatuar se, edhe pse aksionerët e Tesla e kishin miratuar dy herë planin e kompensimit, madhësia e paketës ishte e padrejtë për aksionerët. Ajo shkroi se bordi i Tesla-s “mbante barrën për të provuar se plani i kompensimit ishte i drejtë, dhe nuk arriti ta përmbushë këtë barrë.” Edhe pasi aksionerët votuan sërish në favor të paketës, McCormick e rrëzoi atë për herë të dytë si të padrejtë.
Megjithatë, Gjykata Supreme e Delaware-it vendosi të premten se gjykata më e ulët kishte gabuar në vlerësimin e saj dhe se anulimi i paketës së vitit 2018 ishte “i padrejtë”, duke shtuar se një veprim i tillë “e lë Musk-un pa kompensim për kohën dhe përpjekjet e tij përgjatë një periudhe gjashtëvjeçare”.
Musk është tashmë personi më i pasur në botë, me një pasuri neto të vlerësuar në 644 miliardë dollarë, sipas gjurmuesit të miliarderëve të Bloomberg. Një pjesë e madhe e kësaj pasurie vjen nga 413 milionë aksione të Tesla-s që ai zotëron drejtpërdrejt, me vlerë rreth 199 miliardë dollarë sipas çmimit të mbylljes së së premtes. Aksioni i Tesla-s ndodhet pranë nivelit rekord të arritur më herët këtë javë.
Së fundmi, Musk ka marrë edhe një paketë të re kompensimi nga Tesla, e cila mund të vlejë deri në 1 trilion dollarë nëse vlera e aksioneve të kompanisë rritet aq sa ai dhe kompania parashikojnë.
Tesla është vetëm një pjesë e pasurisë së Musk-ut. Ai është gjithashtu aksioneri kryesor i SpaceX, një kompani që ai planifikon ta nxjerrë në bursë diku vitin e ardhshëm, me një vlerësim që do ta rriste ndjeshëm pasurinë e tij edhe më tej.
“Faleminderit për mbështetjen tuaj të palëkundur,” u përgjigj Musk të premten në mbrëmje në X, si reagim ndaj një postimi mbi vendimin e Gjykatës Supreme të Delaware-it./Përshtati nga CNN, ekofin.al
