Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, është shkarkuar nga detyra, pak pas mbledhjes së sotme të Qeverisë shqiptare. Lajmi nuk është konfirmuar ende zyrtarisht, por burimet bëjnë me dije se znj. Ibrahimaj nuk do të jetë më në krye të Financave shqiptare.
E gjitha ndodh vetëm pak orë përpara fillimit të Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet pasditen e 26 korrikut, ku do të ketë edhe një fjalim të posaçëm të kreut të selisë rozë dhe ku pritet po ashtu të ketë ndryshime strukturore.
Ibrahimaj e mori portofolin e shtetit më shtator 2021, duke shërbyer në këtë detyrë për më pak se dy vjet.
Në vitin 2016 e në vijim ajo ka qenë anëtare e Këshillit të Statistikave, INSTAT, në 2017 e në vijim anëtare e Këshillit Drejtues të FED Invest dhe anëtare e Institutit të Sigurimeve Shoqërore.
Ndërsa, ajo mori emër në vitin 2019, kur u emërua në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, të cilën e mbajti deri në vitin 2021, përpara se të emërohej ministre.
Nuk dihet ende se kujt do t’i besohet posti më i rëndësishëm i Financave shqiptare, në një moment kyç për vendin dhe qeverisjen.
Shkarkimi i Ibrahimajt përbën edhe të dytin në pak ditë nga kryeministri Rama, i cili më parë ka liroi nga detyra ministrin e Brendshëm, Bledi Çuçi dhe në vend të tij emëroi Taulant Ballën. /ekofin.al
