Komisioni Parlamentar i Ekonomisë dhe Financave zhvilloi sot seancë dëgjimore me 4 kandidatët e propozuar nga Këshilli i Ministrave për anëtarë të Komisionit të Konkurrencës.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj vjen pas përfundimit të mandatit për dy anëtaret e këtij komisioni të propozuar nga Këshilli i Ministrave, Juliana Latifi dhe Ledia Matja.
Ligji parashikon që një anëtar të propozohet nga Presidenti, 2 anëtarë nga Kuvendi dhe 2 anëtarë nga Këshilli i Ministrave.
Në zbatim të ligjit, Kuvendi ka njoftuar paraprakisht Këshillin e Ministrave për përfundimin e mandatit të dy anëtarëve të propozuar prej tij.
Këshilli i Ministrave i ka përcjellë Kuvendit kandidaturat alternative për këto dy anëtarë.
Konkretisht për anëtarin e parë, ka propozuar kandidaturat e Ledia Matjas dhe Ervin Myftarajt dhe për anëtarin e dytë, kandidaturat e Pajtim Melanit dhe Durim Krajës.
Kryetari i Komisionit, Eduart Shalsi vlerësoi kandidaturat e paraqitura që sipas tij, do ti kontribuojnë pavarësisë së këtyre institucioneve që përbën një sinjal të mirë për tregun dhe konsumatorët.
Komisioni vlerësoi se kandidaturat plotësojnë kriteret ligjore dhe iu përcollën për votim seancës plenare të Kuvendit.