Autoriteti i Konkurrencës ka marrë 492 vendime gjatë viteve 2021-2025, por nuk ka ngritur një mekanizëm të vazhdueshëm për të kontrolluar zbatimin e atyre vendimeve që përmbajnë rekomandime ose kërkesa ndaj kompanive dhe institucioneve publike.
Kjo është njëra nga problematikat e gjetura nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, i cili arrin në përfundimin se mungesa e këtij sistemi e bën të pamundur vlerësimin e efektivitetit të vendimmarrjes së Autoritetit.
Numri i vendimeve ka qenë relativisht i lartë dhe është rritur në dy vitet e fundit të periudhës së audituar. Autoriteti mori 94 vendime në vitin 2021, 99 në 2022, 93 në 2023, 102 në 2024 dhe 104 në vitin 2025.

Sipas raportit, pjesa më e madhe e tyre lidhen me përqendrimet e kompanive, përfshirë ndryshimet në pronësi, përthithjet ose bashkimet që kërkojnë miratimin e Autoritetit. Një pjesë tjetër përfshin hapjen e hetimeve paraprake ose të thelluara në tregje, vendosjen e kushteve dhe detyrimeve, gjobat dhe kërkesat për informacion. Vendimmarrja përfshin gjithashtu rekomandime për autoritetet publike dhe zbatimin e masave të vendosura më parë.
Por KLSH konstatoi se, pasi vendimi merret, nuk ekziston një proces i vazhdueshëm monitorimi për vendimet me rekomandime ose kërkesa ndaj ndërmarrjeve dhe autoriteteve publike.
Sipas audituesve, mungon një mekanizëm ndjekjeje përmes inspektimeve tematike ose detyrimit për raportim nga subjektet që duhet të zbatojnë vendimin. Pikërisht kjo mungesë, sipas raportit, bën të pamundur matjen e veprimtarisë së Autoritetit në drejtim të vendimmarrjes.
Çështja lidhet drejtpërdrejt me funksionin e institucionit, pasi ligji për mbrojtjen e konkurrencës i ngarkon Sekretariatit jo vetëm hetimin e tregjeve, por edhe ndjekjen dhe kontrollin e zbatimit të vendimeve të Komisionit.
KLSH kërkon ngritjen e një mekanizmi të qëndrueshëm për monitorimin e vendimeve, si dhe krijimin e një sistemi evidencash dhe raportimi të brendshëm që të tregojë sa prej rekomandimeve janë zbatuar dhe çfarë efekti real kanë prodhuar vendimet.
Auditimi evidenton një problem të ngjashëm edhe te gjobat. Për vendimet me efekte financiare, KLSH konstatoi se mungojnë të dhënat e plota për periudhën para vitit 2021 dhe se listat e gjobave në ndjekje nuk kanë qenë koherente nga një vit në tjetrin. /ekofin.al
