Qeveria propozon ndryshimin e sistemit të kontrollit të ndihmës shtetërore, duke ia kaluar Autoritetit të Konkurrencës kompetencat për mbikëqyrjen dhe autorizimin e subvencioneve, lehtësive fiskale dhe formave të tjera të mbështetjes publike për bizneset. Ndryshimet parashikojnë përfshirjen për herë të parë të bujqësisë, peshkimit dhe akuakulturës në fushën e zbatimit të ligjit, ndërsa vendosen detyrime më të forta për raportimin dhe bashkëpunimin e përfituesve të ndihmës.
Sipas projektligjit për ndryshimin e ligjit nr. 9374/2005, “Për ndihmën shtetërore”, të miratuar të enjten në qeveri, kompetencat e Komisionit të Ndihmës Shtetërore dhe strukturës përkatëse pranë ministrisë përgjegjëse për ekonominë do të transferohen tek Autoriteti i Konkurrencës pas datës 1 korrik 2027.
Ndryshimi synon ndarjen e kontrollit të ndihmës shtetërore nga strukturat qeveritare që mund të jenë njëkohësisht edhe dhënëse të kësaj mbështetjeje.
Kontrolli i subvencioneve kalon te një autoritet i pavarur
Aktualisht, Komisioni i Ndihmës Shtetërore përbëhet nga pesë anëtarë dhe drejtohet nga ministri përgjegjës për ekonominë, ndërsa funksionet administrative ushtrohen nga Drejtoria e Ndihmës Shtetërore pranë ministrisë.
Me ndryshimet e propozuara, Komisioni i Ndihmës Shtetërore pushon së funksionuari dhe kompetencat vendimmarrëse i kalojnë Komisionit të Konkurrencës.
Ky i fundit do të shqyrtojë dhe autorizojë skemat e ndihmës shtetërore dhe ndihmat individuale, do të vlerësojë përputhshmërinë e tyre me ligjin dhe do të mbikëqyrë zbatimin.
Projektligji parashikon shprehimisht që Autoriteti dhe Komisioni i Konkurrencës të mos kërkojnë apo marrin udhëzime nga qeveria, ministritë, institucionet që japin ndihmën ose subjekte të tjera publike e private gjatë shqyrtimit, hetimit dhe vendimmarrjes.
Anëtarët e Komisionit të Konkurrencës nuk do të lejohen të marrin pjesë në shqyrtimin e çështjeve ku ndodhen në konflikt interesi.
Përfshihen bujqësia, peshkimi dhe akuakultura
Legjislacioni aktual përjashton shprehimisht sektorët e bujqësisë dhe peshkimit. Projektligji e heq këtë përjashtim, duke përfshirë edhe akuakulturën. Kjo do të thotë se skemat e mbështetjes publike për këta sektorë do t’i nënshtrohen kontrollit të ndihmës shtetërore sipas rregullave të reja, krahas sektorëve të tjerë të ekonomisë.
Megjithatë, projektligji përcakton se skemat ekzistuese të mbështetjes për bujqësinë, peshkimin dhe akuakulturën nuk ndërpriten automatikisht. Ato do të vazhdojnë të zbatohen sipas akteve me të cilat janë miratuar, ndërsa Autoriteti i Konkurrencës, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, do të kryejë shqyrtimin dhe përshtatjen graduale të tyre.
Ministria përgjegjëse për bujqësinë dhe Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural do të duhet të dorëzojnë dokumentacionin, regjistrat dhe të dhënat për skemat ekzistuese gjatë periudhës së transferimit.
Gjoba për mosdhënien e informacionit dhe shkeljen e vendimeve
Projektligji forcon edhe përgjegjësitë e bizneseve që marrin ndihmë shtetërore.
Përfituesit, institucionet publike dhe subjektet e tjera që zotërojnë informacion të nevojshëm do të jenë të detyruara të bashkëpunojnë me Autoritetin e Konkurrencës dhe të dorëzojnë dokumentacionin brenda afatit të përcaktuar prej tij.
Mosdhënia e informacionit, paraqitja e të dhënave të pasakta ose të rreme, mosraportimi dhe moszbatimi i detyrimeve që rrjedhin nga vendimet e Komisionit të Konkurrencës do të përbëjnë shkelje administrative.
Për ndërmarrjet dhe grupimet e ndërmarrjeve parashikohen gjoba sipas legjislacionit për mbrojtjen e konkurrencës. Projektligji nuk përcakton shuma konkrete të gjobave, por u referohet sanksioneve të legjislacionit ekzistues.
Për institucionet publike që japin ndihmë shtetërore, përgjegjësitë do të trajtohen sipas legjislacionit përkatës administrativ, financiar dhe disiplinor.
Ndihma e paligjshme mund të pezullohet ose të kërkohet të kthehet
Ndryshimet i japin Komisionit të Konkurrencës kompetencën të urdhërojë pezullimin, ndryshimin ose kthimin e ndihmës shtetërore që rezulton e paligjshme ose e papajtueshme me ligjin.
Projektligji ndryshon edhe përkufizimin e ndihmës së paligjshme, duke përfshirë ndihmën që jepet dhe zbatohet në kundërshtim me ligjin ose me vendimet e Komisionit të Konkurrencës.
Detyrimi për kthimin e ndihmës së paligjshme ekziston edhe në legjislacionin aktual, i cili parashikon që përfituesi të kthejë shumën bashkë me interesin për periudhën përkatëse.
Për bizneset në vështirësi, planet e ristrukturimit do të miratohen nga institucioni që jep ndihmën dhe do t’i paraqiten Autoritetit të Konkurrencës për shqyrtim.
Raportimi i ndihmës shtetërore kalon në Kuvend
Gjithashtu ndryshojnë rregullat që lidhen me transparencën dhe llogaridhënien për përdorimin e fondeve publike.
Sipas ligjit aktual, Komisioni i Ndihmës Shtetërore ia paraqet raportin vjetor Këshillit të Ministrave. Me ndryshimet e propozuara, Autoriteti i Konkurrencës do ta paraqesë raportin drejtpërdrejt në Kuvend, brenda datës 30 qershor të çdo viti.
Raporti do të përfshijë të dhëna për skemat e ndihmës shtetërore dhe mbështetjen individuale të dhënë gjatë vitit pararendës.
Komisionit të Konkurrencës do t’i kalojë gjithashtu kompetenca për miratimin e akteve nënligjore në fushën e ndihmës shtetërore, duke marrë përsipër një pjesë të rolit rregullator që aktualisht ushtrohet nga Këshilli i Ministrave.
Aktet ekzistuese do të mbeten në fuqi deri në zëvendësimin e tyre, për aq sa nuk bien në kundërshtim me ligjin e ri.
Transferimi në vitin 2027, skemat ekzistuese mbeten në fuqi
Projektligji përcakton që transferimi i kompetencave të realizohet pas datës 1 korrik 2027, ndërsa dispozitat kalimtare parashikojnë marrjen e masave për transferimin brenda gjashtë muajve nga hyrja në fuqi e ligjit.
Procesi përfshin dorëzimin e dosjeve, arkivave, regjistrave, bazave të të dhënave dhe sistemeve të raportimit.
Transferimi i funksioneve nuk do të sjellë automatikisht transferimin e punonjësve nga strukturat ekzistuese tek Autoriteti i Konkurrencës. Në rast ristrukturimi, trajtimi i tyre do të bëhet sipas legjislacionit për nëpunësin civil.
Procedurat administrative të nisura dhe të papërfunduara do të vijojnë nga autoriteti i ri, ndërsa vendimet e mëparshme do të mbeten në fuqi deri në ndryshimin ose shfuqizimin e tyre. /ekofin.al
