Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka publikuar Librin Jeshil “Doganat 2023 dhe prioritetet 2024”, në dy gjuhë, shqip dhe anglisht. Ky është viti i tretë i botimit të Librit Jeshil në formatin e një raporti vjetor mbështetur në vizionin e Administratës Doganore për lehtësimin e tregtisë së ligjshme duke ruajtur ekuilibrin e duhur me analizën e riskut dhe kontrollet pas-zhdoganimit.
Drejtori Përgjithshëm, Genti Gazheli në fjalën hyrëse, theksoi se viti 2023 ishte sfidues për të ardhurat nga doganat në kushtet e mbiçmimit të lekut ndaj euros dhe dollarit amerikan. Por theksoi ai, Administrata Doganore arriti rekordin e të ardhurave në masën 2.14 miliardë dollarë dhe ndryshimin e imazhit drejt një institucioni në shërbim të biznesit, profesional dhe etik.
Performanca në rritjen e të ardhurave doganore nga mallrat e akcizës, si barometri më i mirë i performancës, i pandikuar nga efektet e kursit të këmbimit, solli rritjen e sasive të deklaruara të konsumit të produkteve kryesore për vitin 2023, si karburantet me 646 455 tonë, cigaret 3 135 tonë, kafeja 7 616 tonë etj.
Fushatat e ndërgjegjësimit të biznesit, të realizuara me partnerët, mundësuan certifikimin e Operatorëve të Autorizuar Ekonomik, që tashmë kanë arritur në 13 dhe që përfitojnë lehtësitë në procedurat doganore dhe kalimin në “green lines”, duke shkurtuar kohën dhe kostot e biznesit.
Vlerësimi i partnerëve ndërkombëtarë si BE, OBD, FMN, Banka Botërore dhe OBT erdhi pas një angazhimi të administratës doganore në realizimin e projekteve të asistencës teknike dhe procesit “screening”, duke treguar një performancë pozitive në raportimet, pyetësorët dhe aktivitetet ndërkombëtare.
Doganat ofrojnë sot rreth 39 shërbime dhe 4 aplikacione online dhe me 17 shërbime të tjera, pasaportat e të cilave janë gati për zbatim gjatë gjysmës së parë të vitit 2024 arrijmë objektivin për ta kthyer doganën 100% dixhitale.

