Qeveria ka depozituar në Kuvend projektligjin për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013 “Për sistemin e pagesave”, një nismë që synon të përshtatë kuadrin ligjor shqiptar me ndryshimet më të fundit të Bashkimit Evropian dhe të krijojë kushtet për një treg më konkurrues të pagesave elektronike.
Projektligji është hartuar nga Banka e Shqipërisë dhe propozuar nga Ministria e Financave, si pjesë e angazhimeve të Shqipërisë për përafrimin e legjislacionit me acquis të Bashkimit Evropian në kuadër të negociatave për Kapitullin 4 “Lëvizja e lirë e kapitalit”. Ai lidhet drejtpërdrejt me ndryshimet që po bëhen edhe në ligjin “Për shërbimet e pagesave”, për harmonizimin e plotë me direktivën evropiane PSD2.
Ndryshimi më i rëndësishëm që sjell projektligji është zgjerimi i kategorive të institucioneve që mund të marrin pjesë drejtpërdrejt në sistemet e pagesave që funksionojnë mbi parimin e finalitetit të shlyerjes. Deri më tani, ky rol ishte i rezervuar kryesisht për bankat, ndërsa me ndryshimet e reja do të mund të përfshihen edhe institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike, duke krijuar kushte të barabarta konkurrence në treg.
Sipas relacionit shoqërues, ky zhvillim merr rëndësi të veçantë në funksion të implementimit të sistemit të pagesave të menjëhershme (instant payments), pasi zgjerimi i pjesëmarrësve pritet të nxisë inovacionin, të ulë kostot e transaksioneve dhe të rrisë përdorimin e instrumenteve elektronike të pagesave nga qytetarët, bizneset dhe institucionet publike. Gjithashtu, rritja e konkurrencës mes bankave dhe institucioneve të tjera financiare pritet të ndikojë pozitivisht në përfshirjen financiare dhe në zhvillimin e produkteve të reja digjitale.
Projektligji parashikon edhe ndryshime në përkufizimet bazë të ligjit. Termi “bankë” zëvendësohet me konceptin më të gjerë “institucion krediti”, ndërsa zgjerohen kategoritë e subjekteve që konsiderohen institucione pjesëmarrëse në sistemet e pagesave. Përfshihen gjithashtu institucionet e pagesave, institucionet e parasë elektronike dhe subjekte të tjera financiare të licencuara sipas legjislacionit në fuqi. Në raste të veçanta, Banka e Shqipërisë do të ketë kompetencën të njohë si “institucion” edhe pjesëmarrës të tjerë, nëse kjo justifikohet nga rreziku sistemik dhe plotësohen kushtet ligjore.
Një tjetër risi është zgjerimi i konceptit të “pjesëmarrësit” në sistemet e pagesave, duke përfshirë edhe aktorë të tillë si kundërpalët qendrore, agjentët e shlyerjes, shtëpitë e klerimit dhe operatorët e sistemeve. Projektligji parashikon gjithashtu që një subjekt të mund të ushtrojë njëkohësisht disa nga këto funksione, duke reflektuar praktikat moderne të infrastrukturës financiare, edhe pse struktura të tilla nuk janë ende operative në tregun shqiptar.
Po ashtu, forcohet kuadri i përgjegjësisë në sistemet e pagesave, duke i dhënë Bankës së Shqipërisë mundësinë të konsiderojë edhe nënpjesëmarrësit si pjesëmarrës të sistemit, ndërsa vendoset qartë se pjesëmarrësi kryesor nuk mund të shmangë përgjegjësitë që lidhen me transfertat e kryera përmes tij. Sipas relacionit, kjo masë synon të mbrojë stabilitetin e sistemit financiar dhe të reduktojë rrezikun sistemik./ekofin.al

