Shqipëria po përgatit krijimin për herë të parë të një tregu të obligacioneve të mbuluara, një instrument financiar që do t’u japë bankave një mundësi të re për sigurimin e financimit afatgjatë, ndërsa investitorëve u ofron një nivel më të lartë mbrojtjeje përmes aktiveve që vendosen si garanci.
Projektligji “Për emetimin e obligacioneve të mbuluara dhe mbikëqyrjen e tyre” krijon për herë të parë një regjim të posaçëm për emetimin, funksionimin dhe administrimin e këtyre instrumenteve në Shqipëri. Obligacioni i mbuluar është një titull borxhi i emetuar nga një institucion krediti dhe i garantuar me një grup të veçuar aktivesh me cilësi të lartë, mbi të cilat investitorët kanë të drejtë përparësie.
Në praktikë, ky mekanizëm mund t’u krijojë bankave një kanal të ri financimi, krahas depozitave dhe burimeve të tjera që përdorin aktualisht. Një pjesë e portofolit të kredive dhe aktiveve të përshtatshme mund të përdoret për të mbështetur emetimin e obligacioneve, ndërsa fondet e siguruara nga investitorët mund të përdoren për financim afatgjatë. Sipas relacionit, një nga objektivat është pikërisht diversifikimi i burimeve të financimit të institucioneve të kreditit dhe kanalizimi i kursimeve institucionale drejt financimit hipotekor, sektorit publik dhe ekonomisë reale.
Projektligji parashikon se obligacionet e mbuluara mund të emetohen nga institucionet e kreditit të themeluara në Shqipëri.
Një rol të rëndësishëm në sistem pritet ta kenë kreditë e garantuara me pasuri të paluajtshme.
Rregullat janë relativisht të forta për cilësinë e aktiveve që mund të përdoren. Kur një ekspozim në grupin e mbulimit ka karakteristikat e një huaje, ai duhet të jetë i garantuar me kolateral në pasuri të paluajtshme. Vlera e huasë që llogaritet si pjesë e grupit të mbulimit nuk mund të jetë më e madhe se 60% e vlerës së pronës së pranuar si garanci. Kreditë johipotekore, ndërkohë, nuk mund të kalojnë 20% të vlerës së grupit të mbulimit. Kolateralet duhet të ndodhen në Shqipëri ose në një shtet anëtar të Bashkimit Europian.
Projektligji vendos gjithashtu kufizime për përqendrimin e rrezikut. Ekspozimi individual ndaj një instrumenti financiar të emetuar nga qeveria shqiptare nuk duhet të kalojë 10% të grupit të mbulimit, ndërsa për ekspozimet e tjera individuale kufiri është 5%.
Një nga elementet më të rëndësishme të skemës është ajo që projektligji e quan “mbrojtje e dyfishtë”. Investitori ka një pretendim ndaj vetë bankës që ka emetuar obligacionin, por njëkohësisht gëzon të drejtë përparësie mbi principalin dhe interesat që lidhen me aktivet e vendosura në grupin e mbulimit. Nëse banka bëhet e paaftë për të paguar dhe këto aktive nuk mjaftojnë, investitori ruan edhe pretendimin ndaj masës së likuidimit sipas rendit të përcaktuar nga ligji.
Kjo është edhe diferenca thelbësore me një obligacion të zakonshëm bankar. Aktivet që garantojnë obligacionet ndahen juridikisht nga pjesa tjetër e aktiveve të bankës. Në rast paaftësie paguese ose likuidimi të detyruar, grupi i mbulimit nuk përfshihet në masën e likuidimit, me përjashtimet e parashikuara në ligj, ndërsa pagesat vazhdojnë sipas afateve të përcaktuara.
Për të rritur më tej sigurinë, parashikohet një mbikolateralizim minimal ligjor prej 5%. Kjo do të thotë se vlera e aktiveve që mbështesin obligacionet duhet të jetë më e lartë se detyrimet që ato garantojnë. Bankat do të duhet gjithashtu të mbajnë një rezervë likuiditeti që të jetë e aftë të përballojë daljen maksimale kumulative neto të likuiditetit për 180 ditët pasuese.
Pasuritë e paluajtshme që përdoren si kolateral do t’u nënshtrohen edhe kërkesave të posaçme të vlerësimit. Për çdo aktiv duhet të ekzistojë një vlerësim aktual sipas vlerës së tregut ose vlerës së kreditimit hipotekor, ndërsa vlerësuesi duhet të jetë i kualifikuar dhe i pavarur nga procesi i vendimmarrjes për kredinë. Bankat duhet gjithashtu të monitorojnë sigurimin e këtyre pasurive ndaj rrezikut të dëmtimit.
Mbikëqyrja do të ndahet mes Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare dhe Bankës së Shqipërisë. Banka e Shqipërisë ruan kompetencat prudenciale mbi institucionet e kreditit dhe jep opinion paraprak për programin, ndërsa AMF do të miratojë dhe mbikëqyrë programet e obligacioneve të mbuluara.
Kuadri i ri synon gjithashtu të krijojë një kategori të re investimesh për fondet e investimit, fondet e pensioneve dhe investitorë të tjerë institucionalë, brenda kufizimeve përkatëse ligjore. Në relacion argumentohet se obligacionet e mbuluara mund të ndihmojnë në zhvillimin e tregut shqiptar të kapitalit dhe të ulin varësinë e institucioneve të kreditit nga burimet afatshkurtra të financimit.
Për bankat, megjithatë, instrumenti nuk do të jetë pa kosto. Ato që zgjedhin të hyjnë në këtë treg do të duhet të investojnë në sisteme regjistrimi dhe raportimi, vlerësimin dhe sigurimin e kolateralit, monitorimin e grupit të mbulimit, testet e rezistencës dhe rezervat e likuiditetit. Pjesëmarrja do të jetë vullnetare, por pasi një program të miratohet, respektimi i kërkesave ligjore bëhet i detyrueshëm. /ekofin.al
