Një nga problematikat më të ndjeshme për lirinë e shprehjes dhe funksionimin e demokracisë është përdorimi i proceseve gjyqësore si instrument presioni ndaj gazetarëve, aktivistëve, organizatave të shoqërisë civile dhe individëve që denoncojnë çështje me interes publik. Paditë e tilla, të njohura ndërkombëtarisht si SLAPP (Strategic Lawsuits Against Public Participation), mund të përdoren jo domosdoshmërisht për të fituar një çështje në gjykatë, por për të frikësuar, lodhur financiarisht dhe penguar ata që ushtrojnë të drejtën e tyre për informim dhe shprehje.
Pikërisht ndaj këtij fenomeni synon të ndërhyjë një projektligj i ri i propozuar nga Këshilli i Ministrave, me titullin “Për masat procedurale dhe mbrojtjen e personave që angazhohen në pjesëmarrjen publike nga paditë haptazi të pabazuara dhe procedurat gjyqësore abuzive”.
Nisma parashikon krijimin e një mekanizmi të posaçëm ligjor për mbrojtjen e personave fizikë dhe juridikë që përballen me procese gjyqësore për shkak të angazhimit të tyre në çështje me interes publik. Ajo përfshin çështjet civile dhe tregtare, me ose pa element ndërkufitar, duke synuar të adresojë edhe rastet kur paditë ngrihen përtej kufijve kombëtarë.
Çfarë konsiderohet pjesëmarrje publike dhe kur një padi mund të jetë abuzive?
Një nga elementet kryesore të projektligjit është përcaktimi i gjerë i konceptit të pjesëmarrjes publike. Sipas tij, në këtë kategori përfshihen deklaratat dhe veprimtaritë që lidhen me ushtrimin e lirisë së shprehjes dhe informimit, lirisë artistike, kërkimit shkencor, tubimit dhe organizimit.
Mbrojtja shtrihet edhe te veprimet përgatitore, mbështetëse ose ndihmëse që lidhen drejtpërdrejt me këto liri, për sa kohë kanë të bëjnë me çështje që paraqesin ose mund të paraqesin interes publik.
Këtu përfshihen tema si të drejtat e njeriut, shëndeti publik, siguria, mjedisi, klima, veprimtaria e personave publikë në sektorin publik dhe privat, çështjet që shqyrtohen nga institucionet shtetërore, si dhe denoncimet për korrupsion, mashtrim apo shkelje të tjera.
Projektligji përcakton se një procedurë gjyqësore konsiderohet abuzive kur nuk synon realisht ushtrimin ose mbrojtjen e një të drejte, por ka si qëllim kryesor pengimin, kufizimin ose ndëshkimin e pjesëmarrjes publike.
Për të identifikuar raste të tilla, gjykata duhet të marrë në konsideratë disa elemente, ndër të cilat natyra joproporcionale e padisë, ekzistenca e proceseve të përsëritura nga i njëjti paditës, sjelljet frikësuese apo kërcënuese dhe përdorimi në keqbesim i mjeteve procedurale për të zvarritur procesin.
Kjo është një pikë e rëndësishme, pasi jo çdo padi kundër një gazetari apo aktivisti konsiderohet automatikisht abuzive. Vlerësimi i takon gjykatës, e cila duhet të shqyrtojë qëllimin, rrethanat dhe mënyrën se si është iniciuar dhe zhvilluar procedura.
Rrëzimi i hershëm i padive dhe afati 60-ditor
Një nga mekanizmat më të rëndësishëm që sjell projektligji është mundësia që personi i paditur të kërkojë rrëzimin e hershëm të një padie haptazi të pabazuar.
Sipas dispozitave të propozuara, kjo e drejtë mund të ushtrohet që nga momenti i njoftimit të kërkesëpadisë.
Gjykata duhet të informojë të paditurin për këtë mundësi, ndërsa pas paraqitjes së kërkesës, paditësit i jepet mundësia të paraqesë prapësimet e tij.
Një element me rëndësi është edhe barra e provës: projektligji parashikon se paditësi duhet të provojë bazueshmërinë e padisë, duke paraqitur faktet dhe provat që mbështesin pretendimet e tij.
Nëse gjykata vlerëson se padia është haptazi e pabazuar, ajo mund ta rrëzojë atë në fazën më të hershme të mundshme të procesit.
Për më tepër, kërkesat për garancinë e shpenzimeve gjyqësore dhe rrëzimin e hershëm të padisë duhet të shqyrtohen me përparësi, ndërsa gjykata duhet të marrë vendim brenda 60 ditëve nga paraqitja e tyre.
Ky mekanizëm synon të shmangë një nga efektet më të rënda të padive SLAPP: detyrimin e personit të paditur për të kaluar muaj apo vite në një proces gjyqësor, edhe kur pretendimet ndaj tij janë haptazi të pabazuara.
Paditësi mund të detyrohet të depozitojë garanci financiare
Një tjetër risi e parashikuar në projektligj është mundësia që gjykata, me kërkesë të të paditurit, të urdhërojë paditësin të depozitojë një garanci financiare për mbulimin e shpenzimeve gjyqësore.
Kjo garanci mund të përfshijë edhe kostot e përfaqësimit ligjor dhe caktohet nga gjykata, duke marrë në konsideratë rrethanat e çështjes, gjendjen pasurore të palëve dhe nevojën për të garantuar aksesin efektiv në drejtësi.
Në rast se gjatë procesit rezulton se garancia fillestare nuk është e mjaftueshme, i padituri mund të kërkojë vendosjen e një garancie shtesë.
Nëse paditësi nuk e depoziton garancinë brenda afatit të caktuar nga gjykata, procesi mund të pushohet me kërkesë të të paditurit.
Kjo dispozitë synon të vendosë një mekanizëm mbrojtës ndaj situatave kur një person detyrohet të përballojë kosto të konsiderueshme ligjore për shkak të një procesi të iniciuar në mënyrë abuzive.
Gjobë deri në 300 mijë lekë dhe dëmshpërblim për të dëmtuarin
Projektligji nuk ndalet vetëm te rrëzimi i padive. Ai parashikon edhe pasoja financiare për paditësit që konstatohet se kanë ngritur padi haptazi të pabazuara ose kanë iniciuar procedura gjyqësore abuzive kundër pjesëmarrjes publike.
Sipas nenit 11, gjykata mund të urdhërojë shpërblimin e dëmit pasuror dhe jopasuror të shkaktuar ndaj të paditurit. Gjithashtu, mund të vendosë publikimin e vendimit gjyqësor, me shpenzimet e paditësit.
Një tjetër masë është gjoba administrative-procedurale e parashikuar në nenin 12, e cila varion nga 50 mijë deri në 300 mijë lekë.
Gjykata mund ta vendosë këtë gjobë kryesisht ose me kërkesë të të paditurit, duke marrë parasysh natyrën dhe pasojat e shkeljes, sjelljen e paditësit dhe nevojën për të parandaluar përsëritjen e procedurave të tilla.
Përveç kësaj, paditësi mund të ngarkohet me të gjitha shpenzimet gjyqësore të të paditurit, përfshirë shpenzimet e avokatit, përveç rasteve kur këto të fundit janë haptazi të tepruara.
Mbrojtje edhe përtej kufijve të Shqipërisë
Një aspekt tjetër me rëndësi i nismës lidhet me dimensionin ndërkombëtar të padive SLAPP.
Projektligji parashikon mekanizma mbrojtës edhe në rastet kur një person me vendbanim ose seli në Shqipëri përballet me një procedurë gjyqësore në një shtet të tretë, për shkak të pjesëmarrjes së tij publike.
Në këto rrethana, gjykatat shqiptare mund të refuzojnë njohjen ose ekzekutimin e një vendimi të dhënë nga gjykata e një shteti të tretë, nëse konstatojnë se padia mbi të cilën është bazuar vendimi ka qenë haptazi e pabazuar ose se procedura ka qenë abuzive sipas kritereve të këtij ligji.
Gjithashtu, personi i prekur mund t’i drejtohet gjykatës kompetente në Shqipëri për të kërkuar shpërblimin e dëmit dhe mbulimin e shpenzimeve.
Kjo dispozitë merr rëndësi të veçantë në një realitet ku gazetaria investigative, organizatat ndërkombëtare dhe aktivitetet e shoqërisë civile shpesh përfshijnë aktorë dhe interesa që shtrihen përtej një juridiksioni të vetëm. /ekofin.al
