Banka e Shqipërisë do të rishikojë mënyrën sesi do të llogaritet kapitali i institucioneve të pagesave. Drafti i hedhur në konsultim përcakton disa ndryshime që synojnë të përafrohen me legjislacionin e Bashkimit Evropian.
Ndryshimet në nenet 10 dhe 11 të projektligjit sjellin një riformulim të plotë të kuadrit mbi kapitalin, duke kaluar nga koncepti i “kapitalit” në atë më të gjerë dhe të harmonizuar të “fondeve të veta”, si dhe duke detajuar mënyrën e llogaritjes dhe mbikëqyrjes së tyre.
Konkretisht, ruhet parimi që fondet e veta të mos bien nën nivelin minimal të kërkuar, por forcohet ndalimi i përdorimit të shumëfishtë të elementeve të tyre brenda grupeve financiare dhe zgjerohet roli i Banks së Shqipërisë, e cila jo vetëm përcakton masat parandaluese, por edhe mund të japë përjashtime në kushte të caktuara.
Paralelisht, Neni 11 kalon nga një rregullim i përgjithshëm i kapitalit rregullator në një sistem të strukturuar me metoda të qarta (A, B dhe C) për llogaritjen e fondeve të veta, të bazuara në shpenzimet fikse, vëllimin e pagesave apo tregues financiarë të aktivitetit, duke reflektuar një qasje më të sofistikuar dhe të orientuar nga rreziku.
Gjithashtu, parashikohet fleksibilitet rregullator, pasi Banka e Shqipërisë mund të kërkojë rritje ose ulje të nivelit të fondeve të veta deri në ±20%, në varësi të vlerësimit të riskut dhe cilësisë së kontrollit të brendshëm, duke e bërë kuadrin më dinamik dhe të përafruar me standardet e Bashkimit Evropian.
Por si do të llogariten fondet e veta? Ndryshimi ligjor detajon metodat e përllogaritjes.
“Neni 11
Llogaritja e fondeve të veta
- Banka e Shqipërisë, pavarësisht kërkesave për kapital fillestar minimal të parashikuara në nenin 9 të këtij ligji dhe në aktet nënligjore në zbatim të tij, përcakton me akt nënligjor përbërjen dhe vlerën e fondeve të veta, të detyrueshme për t’u mbajtur në çdo kohë nga institucionet e pagesave, përveç institucioneve të pagesave që ofrojnë shërbimet, sipas pikës 7 ose 8, ose të dyja njëkohësisht, sipas aneksit 1 të këtij ligji. Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor, metodën e zbatueshme për llogaritjen e vlerës së fondeve të veta, sipas njërës nga tre metodat e parashikuara si më poshtë.
Metoda A
Vlera e fondeve të veta të institucionit të pagesave, duhet të jetë të paktën sa 10 % e shpenzimeve fikse të veprimtarisë të tij të vitit paraardhës. Banka e Shqipërisë mund ta rregullojë këtë kërkesë, në rast të një ndryshimi material në veprimtarinë e institucionit të pagesës krahasuar me vitin paraardhës. Kur një institucion pagesash nuk ka përfunduar një vit të plotë ushtrimi në datën e llogaritjes, vlera e fondeve të veta do të jetë të paktën sa 10 % e shpenzimeve fikse të veprimtarisë përkatëse, sipas parashikimeve në planin e tij të biznesit, përveç rasteve kur Banka e Shqipërisë ka kërkuar rishikimin e këtij plani.
Metoda B
Vlera e fondeve të veta të institucionit të pagesave duhet të jetë të paktën sa shuma e elementeve të mëposhtme, e shumëzuar me faktorin e përshkallëzuar “k” të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni:
i) 4,0% e pjesës së VP deri në vlerën ekuivalente në lekë të shumës 5 milion euro;
plus ii) 2,5% të pjesës së VP mbi vlerën ekuivalente në lekë të shumës 5 milion euro deri në 10 milion euro;
plus iii) 1% të pjesës së VP mbi vlerën ekuivalente në lekë të shumës 10 milion euro deri në 100 milion euro;
plus iv) 0,5% të pjesës së VP mbi vlerën ekuivalente në lekë të shumës 100 milion euro deri në 250 milion euro;
plus iv) 0,25% të pjesës së VP mbi vlerën ekuivalente në lekë të shumës 250 milion euro, ku, VP është vëllimi i pagesave, i cili përfaqëson 1/12 e shumës totale të transaksioneve të pagesave të ekzekutuara nga institucioni i pagesave në vitin paraardhës;
Metoda C
Vlera e fondeve të veta të institucionit të pagesave duhet të jetë të paktën sa treguesi përkatës, i përcaktuar në shkronjën “a”, i shumëzuar me faktorin shumëzues të përcaktuar në shkronjën “b” dhe me faktorin e përshkallëzuar “k” të përcaktuar në pikën 2 të këtij neni.
- a) Treguesi përkatës është shuma e elementeve të mëposhtme:
- të ardhurat nga interesat;
- shpenzimet për interesa;
- komisionet dhe tarifat e marra; dhe
- të ardhura të tjera të veprimtarisë.
Çdo element i parashikuar në shkronjën “a” përfshihet në llogaritjen e shumës, me shenjën e tij pozitive ose negative. Të ardhurat e jashtëzakonshme ose të parregullta nuk do të përfshihen në llogaritjen e treguesit përkatës. Shpenzimet për marrëveshjet me palë të treta për ofrimin e shërbimeve mund të zbriten nga treguesi përkatës, nëse këto shpenzime i paguhen një subjekti që gjithashtu i nënshtrohet mbikëqyrjes sipas këtij ligji. Treguesi përkatës llogaritet në fund të vitit financiar paraardhës, mbi bazën e të dhënave mujore për atë periudhë. Treguesi përkatës llogaritet për vitin financiar paraardhës.
Në çdo rast, fondet e veta të llogaritura sipas Metodës C nuk duhet të bien nën 80 % të mesatares së treguesit përkatës për tre vitet financiare paraardhëse. Kur shifrat e audituara nuk janë të disponueshme, institucioni i pagesave mund të përdorë vlerësimet e tij.
- b) Faktori shumëzues do të jetë:
- 10 % e pjesës së treguesit përkatës deri në vlerën ekuivalente në lekë të shumës 2,5 milionë euro;
- 8 % e pjesës së treguesit përkatës, nga vlera ekuivalente në lekë e shumës 2,5 milionë euro, deri në vlerën ekuivalente në lekë të shumës 5 milionë euro;
- 6 % e pjesës së treguesit përkatës, nga vlera ekuivalente në lekë e shumës 5 milionë euro, deri në vlerën ekuivalente në lekë të shumës 25 milionë euro;
- 3 % e pjesës së treguesit përkatës, nga vlera ekuivalente në lekë e shumës 25 milionë euro, deri në vlerën ekuivalente në lekë të shumës 50 milionë euro;
- 1,5 % e pjesës së treguesit përkatës mbi vlerën ekuivalente në lekë të shumës 50 milionë euro.
- Faktori i përshkallëzuar “k” që përdoret për Metodën B dhe Metodën C të parashikuar në pikën 1 të këtij neni është:
- 0,5 kur institucioni i pagesave ofron vetëm shërbimin e pagesave të parashikuar në pikën 6 të aneksit 1 të këtij ligji;
- 1 kur institucioni i pagesave ofron shërbimet e pagesave të parashikuara në pikat 1-5 të aneksit 1 të këtij ligji.
- Banka e Shqipërisë, bazuar në një vlerësim të proceseve të administrimit të rrezikut, bazës së të dhënave të humbjeve dhe të mekanizmave të kontrollit të brendshëm të institucionit të pagesave, mund t’i kërkojë institucionit të pagesave që të mbajë një shumë të fondeve të veta, deri në 20 % më të lartë se vlera e llogaritur nga aplikimi i metodës së përcaktuar në aktin nënligjor të Bankës së Shqipërisë, ose të lejojë institucionin e pagesave që të mbajë një shumë të fondeve të veta, deri në 20 % më të ulët se vlera e llogaritur nga aplikimi i metodës së përcaktuar në aktin nënligjor të Bankës së Shqipërisë, siç parashikohet në pikën 1 të këtij neni.
- Banka e Shqipërisë përcakton me akt nënligjor kriteret dhe kërkesat që duhet të plotësohen nga institucioni i pagesave, për të lejuar këtë të fundit që të mbajë një shumë të fondeve të veta, deri në 20 % më të ulët se vlera e llogaritur nga aplikimi i metodës së përcaktuar nga Banka e Shqipërisë, siç parashikohet në pikën 3 të këtij neni.”.
Sipas dispozitës ligjore, pas anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Banka e Shqipërisë mund të vendosë të përjashtojë nga zbatimi i kërkesave të nenit 11 një institucion pagesash që është pjesë e mbikëqyrjes së konsoliduar të një institucioni krediti mëmë, të licencuar nga Banka e Shqipërisë sipas legjislacionit të zbatueshëm për bankat, në rast se plotësohen kushtet e parashikuara në nenin 7 të rregullores (BE) 575/2013, të cilat garantojnë shpërndarjen e mjaftueshme të kapitalit midis institucionit mëmë dhe institucionit të pagesave.”.
Këto ndryshime ligjore synojnë të rrisin përputhshmërinë me standardet e Bashkimit Evropian dhe të garantojnë një mbikëqyrje më efektive nga Banka e Shqipërisë, në funksion të stabilitetit financiar dhe mbrojtjes së përdoruesve. /ekofin.al
