1 Dhjetori shënon Ditën Ndërkombëtare kundër HIV/AIDS, që kërcënon botën, ndërsa mjekësia vazhdon punën për zbulimin e ilaçeve dhe metodave efikase për trajtimin e sëmundjes.
AIDS-in e shkakton virusi HIV, që dëmton dëmton sistemin imunitar të njeriut, duke e lënë atë të ekspozuar ndaj infeksioneve të rënda.
Kjo ditë është një mundësi për të shpërndarë informacion lidhur me situatën e kësaj pandemie dhe për të inkurajuar përparimin në parandalimin, trajtimin dhe kujdesin ndaj HIV/AIDS-it në të gjithë botën.
Sipas OKB-së, 37.7 milionë njerëz në mbarë botën ishin me HIV në vitin 2020, ndërsa 680,000 vdiqën nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n në të njëjtin vit.
Që nga fillimi i shpërthimit të HIV, rreth 79.3 milionë njerëz janë infektuar me HIV dhe 36.3 milionë kanë vdekur nga sëmundjet e lidhura me SIDA-n.
Nga 37.7 milionë njerëz që ishin me HIV në vitin 2020, 36 milionë ishin të rritur, 53% ishin gra dhe vajza dhe 84% ishin në dijeni për gjendjen e tyre.
Vdekjet e lidhura me SIDA kanë rënë me 64% që nga kulmi në 2004 dhe me 47% që nga viti 2010.