“Diella” është vlerësuar me Çmimin “Future Fit Seal–Edicioni i Samitit të Qeverive Botërore”, një cmim prestigjioz që nderon iniciativa inovative dhe modele të reja qeverisjeje, të cilat përgatisin qeveritë për sfidat e së nesërmes në sektorët e së ardhmes.
Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, mori pjesë dhe përfaqësoi Qeverinë Shqiptare, në ceremoninë zyrtare të ndarjes së çmimeve, ku theksoi se është një vlerësim irëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë.
“Ky çmim përfaqëson një vlerësim ndërkombëtar për “Diella”, një iniciativë që shënon një hap të guximshëm për Shqipërinë në institucionalizimin e teknologjive të përparuara dhe në transformimin digjital të qeverisjes”, tha Ministrja Ibrahimaj.
“Diella”, Ministrja e parë e bazuar në Inteligjencë Artificiale, synon përmirësimin e aksesit të qytetarëve në shërbimet publike, përshpejtimin e dixhitalizimit të plotë të dokumenteve dhe proceseve shtetërore, si dhe integrimin e përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale në sektorë të rëndësishëm, duke ofruar shërbime më të shpejta, më të sakta dhe më të drejta.
“Me këtë vlerësim, Shqipëria konfirmon angazhimin e saj për ndërtimin e një qeverisjeje moderne, transparente dhe efikase, ku inovacioni teknologjik vihet në shërbim të qytetarëve dhe forcimit të shtetit”, u shpreh ministrja Ibrahimaj, pas marrjes së këtij cmimi.







