Numri i dyqaneve të dëmtuara gjatë trazirave të fundjavës në Francë ka arritur në të paktën 3,000, dyfishi i shifrës së raportuar vetëm një ditë më parë.
Megjithatë, kompanitë e sigurimeve, të cilat pritet të përballojnë një pjesë të madhe të kostove, ende nuk kanë një vlerësim të dëmeve të shkaktuara.
France Assureurs, federata franceze e kompanive të sigurimit, i tha Euronews se anëtarët e saj janë “plotësisht të mobilizuar për të mbështetur të siguruarit e prekur”.
Ajo nuk mundi të jepte një vlerësim fillestar të humbjeve dhe as të tregonte se sa kërkesa për dëmshpërblim ishin paraqitur deri tani.
Ekipi i saj i menaxhimit të krizave po punon me autoritetet publike në të gjithë Francën pas asaj që federata e përshkroi si “ngjarje jashtëzakonisht të dhunshme”.
Tregjet financiare franceze shënojnë rënie, ndërsa rritet fatura e dëmeve
Të dielën, drejtori ekzekutiv i Carrefour, Alexandre Bompard, i cili drejton gjithashtu federatën e tregtisë me pakicë FCD, vlerësoi se ishin prekur rreth 1,500 dyqane.
Ai tha se humbjet e sektorit arrinin në disa qindra milionë euro.
Deri të hënën, shifra e publikuar nga qeveria kishte arritur në 3,000 dyqane.
Vetëm rrjeti Carrefour raportoi dëme në 50 dyqane, përfshirë 20 prej tyre që ishin plaçkitur.
Tregjet financiare u vunë gjithashtu nën presion të hënën. Indeksi francez CAC 40 e mbylli sesionin me një rënie prej 1.1%, duke shënuar performancë më të dobët se indeksi më i gjerë evropian EURO STOXX 600, i cili ra me 0.9%.
Aksionet e Carrefour humbën 2.2%, ndërsa grupi i luksit LVMH ra me 1.8%. Një butik i Louis Vuitton në Marsejë ishte ndër dyqanet që u thyen dhe u plaçkitën gjatë fundjavës.
Rënie shënuan edhe aksionet e kompanive të sigurimit. AXA humbi 1.3%, ndërsa kompania e risigurimit SCOR ra me 0.9% në Paris. Në Milano, Generali humbi 2.3%, ndërsa Unipol ra me 3.2%.
Edhe obligacionet shtetërore franceze u vunë nën presionin e shitjeve të hënën.
Yield-i i obligacioneve franceze me maturim 10-vjeçar u rrit me rreth tetë pikë bazë, duke arritur në 4.94%. Yield-i i obligacioneve përkatëse gjermane u rrit me më pak se katër pikë bazë.
Kjo e çoi diferencën mes kostove të huamarrjes së Francës dhe Gjermanisë në rreth 148 pikë bazë.
Çfarë na tregojnë trazirat e vitit 2023 për koston e dëmeve?
Franca ka një precedent të afërt për të vlerësuar se sa mund të kushtojë një fundjavë e tillë.
Trazirat që përfshinë vendin në qershor dhe korrik të vitit 2023 shkaktuan dëme të siguruara në vlerën e 793 milionë eurove, sipas të dhënave që France Assureurs i dha Euronews.
Kompanitë e sigurimit trajtuan rreth 17,000 kërkesa për dëmshpërblim, me një vlerë mesatare prej afërsisht 46,600 eurosh për secilën.
Dy të tretat e shumës totale, rreth 523 milionë euro, shkuan për dyqanet dhe ambientet tregtare. Një e katërta, afërsisht 200 milionë euro, iu paguan autoriteteve vendore, ndërtesat e bashkive, shkollat dhe autobusët e të cilave ishin sulmuar.
Pjesa e mbetur, 7%, lidhej me automjetet.
Megjithatë, edhe këto shifra nuk pasqyronin të gjithë përmasën e shkatërrimeve.
Një hetim i mëvonshëm i Senatit francez vlerësoi se dëmet materiale ishin më afër 1 miliard eurove. Disa humbje nuk ishin deklaruar kurrë, ndërsa të tjera ishin mbuluar vetëm pjesërisht nga sigurimet.
Krahasimi është veçanërisht i rëndësishëm tani, pasi numri i dyqaneve të prekura duket se është më i lartë.
Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Francës (CCI France) numëroi rreth 2,500 biznese të vandalizuara gjatë trazirave të vitit 2023. Shifra e publikuar nga qeveria për fundjavën e fundit e ka tejkaluar tashmë këtë nivel.
Skema e re franceze e sigurimit kundër trazirave nuk është ende gati
Franca u përpoq të trajtonte problemet e sigurimit të nxjerra në pah nga trazirat e vitit 2023 përmes ligjit të buxhetit për vitin 2026.
Legjislacioni e bën të detyrueshëm mbulimin e dëmeve nga trazirat në disa lloje policash sigurimi për pronat dhe krijon një fond kombëtar për të ndihmuar kompanitë e sigurimit të përballojnë humbjet e mëdha.
Kompanitë e sigurimit do ta financojnë fondin përmes kontributeve deri në 1.5% të primeve përkatëse të sigurimit, ndërsa shteti do të ofrojë garanci deri në 4 miliardë euro në vit.
Por skema ende nuk ka hyrë në fuqi. Ajo ka nevojë për miratimin e Komisionit Evropian dhe për një dekret zbatues nga qeveria.
Për bizneset e prekura nga dhuna e kësaj fundjave, kjo do të thotë se dëmshpërblimi do të varet nga kontratat ekzistuese të sigurimit.
Sigurimi mund të mbulojë dëmet, por çfarë ndodh me shitjet e humbura?
Shumica e policave franceze të sigurimit për dyqanet dhe ndërtesat përfshijnë mbulimin për “trazirat dhe çrregullimet civile”, sipas France Assureurs.
Ky mbulim zakonisht përfshin dëmet nga zjarri, vjedhjet, vandalizmi dhe thyerja e vitrinave të dyqaneve. Ai mbulon gjithashtu, në përgjithësi, vendosjen e paneleve prej druri për mbrojtjen e dyqaneve të dëmtuara dhe pagesën e rojeve të sigurisë që nevojiten në ditët pas sulmeve.
Problemi lind kur bëhet fjalë për shitjet e humbura.
Dëmshpërblimi për mbylljen e plotë ose të pjesshme të një biznesi varet nga fakti nëse kontrata përfshin mbulimin shtesë për ndërprerjen e aktivitetit.
Ky sigurim kompenson humbjen e fitimit bruto, jo vlerën e shitjeve të humbura, dhe zakonisht zbatohet vetëm kur dëmet fizike të mbuluara nga polica e kanë detyruar biznesin të mbyllet.
Disa kontrata ofrojnë mbulim edhe në rastet kur ambientet e biznesit nuk janë dëmtuar. Megjithatë, kjo vlen vetëm “në rrethanat e përcaktuara shprehimisht në policën e sigurimit”, theksoi federata.
Në përgjithësi, të siguruarit kanë pesë ditë kohë për të njoftuar kompaninë e sigurimit. Për disa lloje mbulimi, paraqitja e një kallëzimi në polici është kusht paraprak për marrjen e dëmshpërblimit.
Pjesa që do të përballojë shteti
Kryeministri francez Sébastien Lecornu deklaroi të hënën se bizneset e prekura nga trazirat do të mund të përfitonin nga skema shtetërore e mbështetjes për punonjësit me aktivitet të reduktuar, e njohur në Francë si activité partielle, duke filluar nga e marta.
Ai u kërkoi gjithashtu autoriteteve vendore të vendosnin orare kufizimi të lëvizjes në zona të caktuara dhe tha se gjendja e jashtëzakonshme do të shpallej “nëse do të ishte e nevojshme”.
Presidenti Emmanuel Macron refuzoi dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Laurent Nuñez, ndërsa numri i të arrestuarve kaloi 2,400.
Çdo euro e shpenzuar për mbështetjen e bizneseve do të rëndojë mbi një buxhet që pritet të regjistrojë një deficit prej 5.4% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) këtë vit, ndërsa borxhi publik arrin në 119% të PBB-së.
Dhe megjithëse fatura përfundimtare e trazirave ende nuk dihet, një gjë po bëhet gjithnjë e më e qartë: kostoja do të shkojë shumë përtej dyqaneve që u sulmuan./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
