Reshjet e dëborës kanë përfshirë gjatë natës zonat veriore dhe juglindore të vendit, ndërsa në akset rrugore nuk raportohen probleme me qarkullimin, të cilat vijojnë të jenë të hapura.
Sipas informacionit të Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), gjatë natës ka pasur reshje shiu me intensitet mesatar, ndërsa dëbora ka nisur në disa akse të zonave malore në veri dhe juglindje.
Në rajonin verior, reshjet e dëborës janë regjistruar në akset Bajram Curri–Valbonë, Ura Bujan–Qafë Morinë, Bujan–Qafë Morinë (doganë), Hani i Hotit–Vermosh, Bogë–Theth, Sopot–Kërnaj, Qafë Mejdan–Tropojë–Buçaj, Dushaj–Lekbibaj, Rrëshen–Shpal–Qafë Benë, Fierzë–Bajram Curri, Bulqizë–Peshkopi, Kukës–Shishtavec, Kukës–Bushtricë, Kukës–Krumë dhe Dedaj–Razëm.
Ndërkohë, në rajonin juglindor, dëbora ka prekur akset Qukës–Qafë Plloçë, Qafë Plloçë–Qafë Thanë, Librazhd–Fushë Studen, Korçë–Dardhë dhe Zëmblak–Goricë.
Kontraktorët e mirëmbajtjes rrugore janë në terren me mjete dhe punonjës, duke vijuar pa ndërprerje pastrimin e rrugëve dhe shpërndarjen e kripës për të parandaluar krijimin e ngricave dhe për të garantuar sigurinë e qarkullimit.
ARRSH u bën apel drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar gjatë udhëtimit, të pajisen me goma dimërore dhe të përdorin zinxhirë në akset ku ka prezencë dëbore, veçanërisht në zonat malore.
Pavarësisht reshjeve, aktualisht të gjitha akset rrugore janë të hapura dhe qarkullimi vijon normalisht.

