Tregu i sigurimit të pronës po shkon drejt mbylljes së vitit 2026 me një ecuri negative të primeve të shkruara bruto, ndërkohë që shoqëritë e sigurimit po përballen me një rritje të ndjeshme të vlerës së dëmeve të paguara.
Sipas të dhënave statistikore të AMF, gjatë periudhës janar–tetor 2026, primet e shkruara bruto në sigurimin nga zjarri, forcat e natyrës dhe dëmtimet e tjera në pronë arritën në 2.3 miliardë lekë, me një rënie prej 4.10% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Në të kundërt, dëmet e paguara nga shoqëritë e sigurimit arritën në rreth 530 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 25.13% në raport me 10-mujorin e vitit 2025.
Rënie e primeve në pesë nga tetë shoqëritë e sigurimit
Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë, volumi i primeve në sigurimin e pronës është tkurrur me rreth 98.5 milionë lekë. Pesë nga tetë shoqëritë që operojnë në këtë segment të tregut kanë regjistruar rënie.
SIGAL Insurance Group vijon të kryesojë tregun e sigurimit të pronës, me prime në vlerën 888.5 milionë lekë, me një rritje vjetore prej 1.85% dhe një pjesë tregu prej 38.58%.
Në vendin e dytë renditet ALBSIG, me 674.2 milionë lekë prime dhe një rritje prej 7.14%, duke zotëruar 29.28% të tregut. Së bashku, dy shoqëritë përfaqësojnë 67.86% të këtij segmenti të sigurimeve.
Sigma Vienna Insurance Group ka regjistruar prime në vlerën 262.3 milionë lekë, me një rënie të lehtë prej 0.23%, ndërsa Intersig Vienna Insurance Group ka shënuar një rritje prej 2.28%, duke arritur në 133.1 milionë lekë.
Rënien më të fortë e kanë regjistruar Eurosig, me 43.36%, dhe INSIG, me 41.01%. Tkurrje të primeve kanë shënuar gjithashtu ANSIG, me 14.45%, dhe Atlantik, me 6.93%.
Shoqëritë e sigurimit paguajnë 106.4 milionë lekë më shumë dëme
Ndryshe nga ecuria e primeve, pagesat e dëmeve në sigurimin e pronës janë rritur ndjeshëm gjatë këtij viti.
Në 10 muajt e parë të vitit 2026, shoqëritë e sigurimit kanë paguar 106.4 milionë lekë më shumë dëme krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2025.
SIGAL Insurance Group kryeson edhe për nga vlera e dëmeve të paguara, me 165.3 milionë lekë, ndonëse në krahasim me një vit më parë pagesat janë ulur me 7.76%.
ALBSIG ka paguar 117 milionë lekë dëme, me një rritje prej 24.89%, ndërsa Sigma Vienna Insurance Group ka paguar 99 milionë lekë, nga vetëm 8.95 milionë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Një rritje e konsiderueshme është regjistruar edhe nga Atlantik, me 70.7 milionë lekë dëme të paguara, nga 1.1 milionë lekë një vit më parë. Ndërkohë, ANSIG ka paguar 42.9 milionë lekë, me një rritje prej 131.66%.
Ecuria e 10-mujorit evidenton një kontrast në tregun e sigurimit të pronës, ku nevoja për mbrojtje financiare përballë dëmeve materiale po bëhet më e dukshme, ndërkohë që volumi i primeve po tkurret.
Nëse kjo tendencë vijon edhe gjatë dy muajve të fundit, sigurimi i pronës pritet ta mbyllë vitin 2026 me rënie të primeve dhe një rritje të fortë të vlerës së dëmshpërblimeve, duke reflektuar një presion më të lartë financiar mbi këtë segment të tregut të sigurimeve. /ekofin.al

