Në Francë, çmimet e karburanteve në pompa janë ndër më të lartat në Bashkimin Evropian. Qeveria ka ndërmarrë masa për të ulur çmimin për litër me 12 deri në 18 centë, njoftoi të hënën kryeministri.
Ky është një lajm që mund të ndihmojë në zbutjen e zemërimit të francezëve. Falë çlirimit të rezervave strategjike nga qeveria, çmimi i naftës do të ulet deri në 18 centë për litër, duke filluar nga e diela, 1 nëntor. Kjo do të thotë një ulje prej «rreth 10 eurosh për një serbator të mbushur plot», premton kryeministri.
«Përballë një krize që nuk e kemi zgjedhur ne, […] shteti po merr përsipër përgjegjësitë e tij», deklaroi Sebastjan Lekornu në rrjetin social X, të hënën, më 12 tetor, pas një takimi me shpërndarësit e karburanteve.
«Kjo ulje do të reflektohet gjithashtu në çmimin e naftës për ngrohjen e banesave, të naftës për automjetet e transportit profesional, si dhe të naftës për makineritë jashtë rrugëve publike, të përdorura nga fermerët, peshkatarët dhe punonjësit e ndërtimit», theksoi gjithashtu kryeministri francez.
Masa, e parashikuar të jetë në fuqi deri në fund të janarit, bëhet e mundur përmes «shitjes me çmimin e kostos të 10 milionë fuçive naftë nga rezervat tona strategjike», të blera para fillimit të luftës në Iran, me një çmim prej 0,28 eurosh për litër.
53 litra naftë për një ditë pune
Mbështetja e qeverisë dukej e pashmangshme. Aktualisht, Franca është ndër vendet e Bashkimit Evropian ku çmimet e karburanteve në pompa janë më të lartat. Sipas faqes së krahasimit të çmimeve të karburanteve Fuel-price (burim në gjuhën frënge), më 5 tetor, çmimi mesatar i naftës arriti në 2,355 euro për litër.
Kjo shifër është dukshëm më e lartë se mesatarja e 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, e cila ishte 2,149 euro për litër. Çmime më të larta se Franca regjistrohen vetëm në Finlandë, me 2,553 euro për litër, në Holandë, me 2,506 euro, dhe në Danimarkë, me 2,488 euro.
Megjithatë, rritja e çmimeve të karburanteve nuk kufizohet vetëm në Francë. Edhe në vendet fqinje evropiane, çmimet po arrijnë nivele rekord. Në Belgjikë, një litër naftë shitet mesatarisht me 2,349 euro, krahasuar me 2,254 euro në Gjermani dhe 2,273 euro në Itali.
Ndërkohë, Spanja është ndër vendet me çmimet mesatare më të ulëta, ku një litër naftë kushton 1,918 euro.
Por çmimi i shfaqur në pompë nuk mjafton për të kuptuar se sa e rëndë është barra financiare për drejtuesit e automjeteve. Një rol vendimtar luan edhe niveli i pagave.
Ndonëse Spanja duket se ka një situatë më të favorshme, një punonjës me pagën mesatare në këtë vend mund të blejë 54,2 litra naftë me pagën e një dite pune. Në Francë, me pagën e një dite pune mund të blihen 52,8 litra, krahasuar me 47 litra në Itali dhe 62,3 litra në Gjermani.
Sa i përket mbushjes së plotë të serbatorit, Franca qëndron afër mesatares evropiane, ku kostoja e një serbatori të mbushur plot përfaqëson 4,4% të pagës mesatare mujore neto.
Situata është përgjithësisht e ngjashme edhe për benzinën. Franca renditet ndër vendet ku çmimi për litër është më i lartë, me një mesatare prej 2,212 eurosh më 5 tetor.
Edhe në këtë rast, çmimet mesatare në Francë janë dukshëm më të larta se mesatarja e Bashkimit Evropian, e cila arrin në 2,006 euro për litër. Megjithatë, ato mbeten më të ulëta se çmimet mesatare në Danimarkë, me 2,605 euro për litër — shifër që merr parasysh edhe uljet e mundshme — në Holandë, me 2,432 euro, dhe në Finlandë, me 2,370 euro.
Megjithatë, edhe kur çmimi i benzinës për litër krahasohet me koston e jetesës, Franca qëndron pranë mesatares evropiane. Me pagën e një dite pune mund të blihen 56,2 litra benzinë, kundrejt mesatares prej 57,4 litrash në Bashkimin Evropian.
Nafta për ngrohje, shumë më e shtrenjtë se mesatarja evropiane
Drejtuesit e automjeteve nuk janë të vetmit që po përballen me pasojat e rritjes së fortë të çmimeve të energjisë. Me afrimin e dimrit, kostot e ngrohjes janë gjithashtu një burim shqetësimi për familjet që përdorin naftë për ngrohje.
Më 5 tetor, 1.000 litra naftë për ngrohjen e banesave kushtonin 1.907,08 euro në Francë. Kjo është 165,14 euro më shumë se mesatarja e Bashkimit Evropian dhe 179,09 euro më shumë se mesatarja e Eurozonës, sipas të dhënave të Komisionit Evropian.
Gjatë muajve të fundit, çmimet në Francë kanë ndjekur të njëjtën prirje si në Portugali dhe Itali, ku 1.000 litra naftë për ngrohje kushtojnë tashmë përkatësisht 2.204 euro dhe 2.063,10 euro.
Megjithatë, disa vende kanë arritur t’i mbajnë çmimet në nivele më të përballueshme. Ky është veçanërisht rasti i Gjermanisë, ku 1.000 litra naftë për ngrohje kushtojnë 1.726,40 euro.
Në Belgjikë dhe Spanjë, nafta për ngrohje është edhe më e lirë, përkatësisht 1.533,40 euro dhe 1.495,34 euro për 1.000 litra. Këto çmime janë 19,6% dhe 21,6% më të ulëta se në Francë./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
