Komisioni për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, shqyrtoi projektligjin ”Për Strategjinë e Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë”.
Të ftuar për këtë projektligj ishte zëvendësministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Almira Xhambulla dhe Gerta Lubonja, Drejtore e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore.
Në fjalën e saj në prezantim të këtij projektligji, zv/ministrja Xhambulla u shpreh se fusha e menaxhimit të ujërave është një nga fushat prioritare në kuadër të procesit të integrimit, detyrimet e së cilës përcaktohen në nenin 70/3 të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, i cili parashikon domosdoshmërinë e përafrimit të legjislacionit vendas me “acquis të BE-së”.
Drejtoresha e Agjencisë së Menaxhimit të Burimeve Ujore, Lubonja tha se ky projektligj ka si qëllim të përcaktojë kuadrin ligjor për arritjen dhe mirëmbajtjen e një statusi të mirë mjedisor të ujërave detare të Detit Mesdhe, të cilat janë nën sovranitetin e Republikës së Shqipërisë, përmes hartimit e zbatimit të Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë.
“Ky projektakt ka objektivat e mëposhtëm, të cilat janë në përputhje me përcaktimet e direktivës së BE-së në këtë sektor.”, theksoi Lubonja.
Po ashtu relatori i çështjes, deputeti Ilir Ndraxhi, vuri në dukje se projektligji qe diskutohet sot, synon rregullimin e të gjitha çështjeve që lidhen me hartimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë, elementet përkatëse, përcaktimin e institucioneve përgjegjëse, zbatimin e Strategjisë së Mbrojtjes së Mjedisit Detar të Republikës së Shqipërisë.
