CEO i Nvidia-s, Jensen Huang, shiti 75,000 aksione, me një vlerë rreth 12.94 milionë dollarë, sipas një raportimi në Komisionin Amerikan të Letrave me Vlerë (SEC).
Shitja e fundit është pjesë e një plani të miratuar në mars që parashikon që Huang të shesë deri në 6 milionë aksione të kompanisë lidere në inteligjencën artificiale. Më herët këtë javë, Huang shiti 225,000 aksione të prodhuesit të çipeve, me një vlerë totale rreth 37 milionë dollarë, sipas një raportimi të veçantë në SEC. CEO-ja filloi të tregtojë aksione sipas planit muajin e kaluar.
Kërkesa në rritje për inteligjencën artificiale dhe për njësitë grafike të përpunimit që fuqizojnë modelet e mëdha gjuhësore ka rritur ndjeshëm pasurinë e Huang dhe ka çuar kapitalizimin e tregut të Nvidia-s përtej 4 trilionë dollarëve, duke e bërë atë kompaninë më të vlefshme në botë.
Nvidia njoftoi këtë javë se pret të rifillojë së shpejti shitjet e çipeve H20 drejt Kinës, pas sinjaleve nga administrata Trump se do të miratohen licencat e eksportit. Më herët këtë vit, zyrtarët amerikanë kishin deklaruar se Nvidia do të kërkonte leje të veçantë për të dërguar çipet, të cilat janë projektuar posaçërisht për tregun kinez.
“Qeveria amerikane i ka garantuar Nvidia-s se licencat do të miratohen, dhe Nvidia shpreson të nisë së shpejti dërgesat,” tha kompania në një deklaratë të martën. Huang tha gjatë një konference për shtyp të mërkurën në Pekin se ai dëshiron të shesë në Kinë çipe më të avancuara se H20 në një moment të ardhshëm./Përshtati nga CNBC News, ekofin.al

