Komisioni për Buxhet, punë dhe transfere ka miratuar projektbuxhetin e vitit 2025 dhe e ka dërguar për votim final në Kuvendin e Kosovës. Gjatë diskutimeve, opozita ka kundërshtuar buxhetin, duke pretenduar gjithashtu se nuk është bërë transparenca e nevojshme nga qeveria për përdorimin e fondeve publike.
Projektbuxheti i vitit 2025 është 3.6 miliardë euro dhe sipas përfaqësuesve të qeverisë, ai është i fokusuar në disa drejtim dhe ka disa prioritete, mes tyre edhe mbështetjen e rritjes së pagave për punonjësit publikë.
Kryeministri Kurti ka deklaruar se “vit pas viti, kemi pasur rritje dyshifrore të të hyrave buxhetore, pa ndryshuar asnjë politikë fiskale, gjë që ka mundësuar edhe rritjen e buxhetit pa e rritur borxhin publik e pa shkaktuar barrë financiare për gjeneratat e ardhshme.”
Ai theksoi gjithashtu se në buxhetin e vitit të ardhshëm parashihet rritja e pagave për të gjithë punëtorët e sektorit publik. Kjo rritje e sjellë pagën mesatare në sektorin publik për vitin 2025 në 870 euro bruto.
Kryeministri vuri në dukje gjithashtu se “në buxhet parashihen gjithashtu 100 milionë euro shtesë për të mbuluar rritjen e pensioneve prej 20%, teksa rikujtojmë se pensionet me rritje për kategoritë e dala nga lufta fillojnë të ekzekutohen nga janari i vitit që po vjen. Si dhe 60 milionë euro shtesë për skemën e shtesave për fëmijë të cilat i kemi dyfishuar e në raste trefishuar atëherë kur prindërit kanë tre ose më shumë fëmijë”.
Duke folur specifikisht për systemin shëndetësor, Kurti u shpreh se për nevojat e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës për sigurimin e barnave esenciale dhe materiale tjera të nevojshme shëndetësore, kemi ndarë 105 milionë euro.
“87 milionë euro tjera i kemi planifikuar për nevojat e sigurisë dhe mbrojtjes, që do të shkojnë në municion, pajisje e furnizime të nevojshme ashtu që policia dhe ushtria jonë t’i kryejnë detyrat me efikasitet të plotë. Ndërkaq buxheti i përgjithshëm për Ministrinë tonë të Mbrojtjes dhe Forcën e Sigurisë vitin tjetër do të jetë që në fillim në nivel të 2% të Bruto Produktit Vendor, sipas standardit të NATO-s. Me shtesat përgjatë vitit do ta tejkalojë vlerën prej 208 milionë euro”, tha Kurti.
Investment kapitale në vitin 2025 do të jenë në vlerë prej 930 milionë euro. Komunat do të kenë më shumë buxhet. Do të rritet mbështetja në bujqësi. Kosova gjithashtu do të vijë të mbështesë me buxhet komunat me shumicë shqiptare në Serbi, Preshevën, Medvegjën dhe Bujanocin, të cilat vitin e ardhshëm do të përfitojnë 4 milionë euro.

