Tregu i Athinës ka sjellë një kthim prej 146% në pesë vite, duke lënë pas Nasdaq 100. Një analizë e gjatë mbi mënyrën se si një kolaps prej 92% u kthye në një nga rikuperimet më të forta financiare të kohëve moderne.
Në mëngjesin e 29 qershorit 2015, grekët u zgjuan dhe gjetën bankat e mbyllura.
Tërheqjet në ATM ishin kufizuar në 60 euro në ditë. Bursa e Athinës nuk u hap për tregtim.
Kontrollet e kapitalit, zakonisht të lidhura me ekonomitë në krizë dhe jo me vende të eurozonës, kishin mbërritur në Greqi.
Pesë vite më herët, në prill dhe qershor 2010, Standard & Poor’s dhe Moody’s e kishin ulur borxhin sovran grek në nivel “junk”, duke e bërë Greqinë vendin e parë të eurozonës që humbte statusin “investment grade”.
Në shkurt 2016, indeksi Athex Composite kishte rënë në 516.7 pikë, më shumë se 90% poshtë rekordit prej 5,334.5 pikësh të tetorit 2007. Ndërsa indeksi bankar FTSE Athex Banks ishte shembur me 99.6%.
Aksionet greke kishin pushuar së funksionuari si klasë aktivesh financiare.
Ato ishin kthyer në një obituary financiar.
Një dekadë më vonë, ky obituary kërkon rishkrim. Indeksi i Athinës ka sjellë rreth 146% kthim total në pesë vitet e fundit.
Nasdaq 100, i nxitur nga supercikli i inteligjencës artificiale, ka kthyer 116% në të njëjtën periudhë. S&P 500 realizoi vetëm rreth gjysmën e fitimeve të Greqisë, ndërsa Euro STOXX 50 vetëm një të tretën.
Si aksionet greke mundën Nasdaq 100
Për të kuptuar këtë rikuperim, duhet parë sektori bankar. National Bank of Greece, Eurobank, Piraeus Bank dhe Alpha Bank mbajtën barrën më të madhe gjatë krizës.
Në fund të vitit 2016, raporti i kredive me probleme arriti në rreth 47%, niveli më i lartë në Bashkimin Europian.
Bankat greke nuk po përballeshin thjesht me një krizë kredie. Ato po mbanin një depresion ekonomik në bilancet e tyre.
Pastrimi ndodhi në dy faza.
Skema “Hercules” lejoi bankat të transferonin rreth 57 miliardë euro kredi të këqija përmes garancive shtetërore.
Më pas erdhi faza e fitueshmërisë organike: stabilizimi i depozitave, ulja e kostove dhe rikthimi i marzheve të fitimit.
Nga bailout te “bull market”
Fitimet neto të katër bankave më të mëdha greke arritën afër 5 miliardë eurove në vitin 2025.
Pagesat ndaj aksionerëve u rritën ndjeshëm. Piraeus, Eurobank dhe Alpha shpërndanë rreth 55% të fitimeve, ndërsa National Bank of Greece e çoi raportin total të shpërndarjes në 86%.
Konstantinos Hatzidakis, atëherë ministër i Ekonomisë dhe Financave i Greqisë, shkroi në revistën e FMN-së se:
“Kemi pastruar bilancet bankare dhe kemi frenuar kreditë me probleme. Ky moment historik u ka lejuar bankave të rikthejnë rolin e tyre në financimin e ekonomisë reale.”
Ai theksoi rritjen e depozitave, forcimin e kapitalit dhe shitjen e aksioneve shtetërore në banka te investitorët afatgjatë të huaj.
Motori “i heshtur” i mrekullisë greke
Një rol kyç luajti edhe reforma fiskale.
Në një studim të publikuar javën e kaluar, ekonomistët e FMN-së Andrew Okello, Stoyan Markov dhe Chenghong Wang e përshkruan transformimin e administratës tatimore greke si “një nga motorët e heshtur të rimëkëmbjes ekonomike të Greqisë”.
Procesi kaloi në tre faza.
Mes viteve 2010-2012 fokusi ishte stabilizimi i të ardhurave shtetërore. Një nga sukseset e para ishte dixhitalizimi i TVSH-së: vetëm 65% e tatimpaguesve dorëzonin deklarimet në kohë në 2010, krahasuar me 96% në 2014.
Mes viteve 2013-2017 u ndërtuan institucionet. Greqia uli numrin e zyrave tatimore nga 288 në 119 dhe krijoi Autoritetin e Pavarur të të Ardhurave Publike.
Nga viti 2018 nisi faza e faturimit elektronik në kohë reale dhe sistemeve dixhitale analitike.
Si rezultat, raporti i të ardhurave tatimore ndaj PBB-së u rrit nga 20.5% në 2009 në rreth 28% në 2025.
Greqia regjistroi suficit primar afër 5% të PBB-së në 2024 dhe 2025, duke u bërë një nga vendet e pakta të BE-së me suficit fiskal.
Borxhi publik ndaj PBB-së ra nga rreth 210% në 2020 në afërsisht 145% në vitin 2025.
Ndërkohë, të gjitha agjencitë kryesore të vlerësimit rikthyen Greqinë në statusin “investment grade”.
Aksione ende të lira
Një tjetër faktor ishte vlerësimi i ulët i aksioneve.
Edhe pas rritjes së fortë, bankat greke tregtohen me rreth 9 herë fitimet e pritshme të vitit 2026, ende mbi 20% më lirë se homologet europiane.
Në pesë vitet e fundit, aksionet e National Bank of Greece dhe Piraeus Bank janë rritur me rreth 500%.
Në nëntor 2025, Euronext përfundoi blerjen e Bursës së Athinës, duke integruar tregun grek në platformën më të madhe europiane të listimeve.
MSCI po shqyrton gjithashtu riklasifikimin e Greqisë si treg i zhvilluar duke nisur nga shtatori 2026.
Një Greqi ndryshe
Kjo nuk do të thotë se Greqia është imunizuar ndaj krizave të jashtme.
FMN paralajmëroi në mars 2026 se perspektiva mbetet “e errësuar nga konflikti në Lindjen e Mesme”.
Turizmi përfaqëson ende rreth 21% të PBB-së së Greqisë, duke e bërë ekonominë të ndjeshme ndaj krizave gjeopolitike.
Inflacioni mbetet i lartë, në 3.1% në shkurt 2026.
Megjithatë, Greqia konsiderohet sot një nga shembujt më të qartë në historinë moderne financiare se si një vend në prag falimentimi arriti të rikuperohej përmes reformave fiskale, ristrukturimit bankar dhe reformave institucionale.
Dhjetë vite më parë, borxhi grek konsiderohej “junk”, bankat ishin të mbyllura dhe tregu kishte humbur mbi 90% të vlerës.
Sot, indeksi i Athinës ka arritur diçka që pak kush e mendonte të mundur: ka tejkaluar Nasdaq 100./Përshtati nga Euronews, ekofin.al
