Në datën 23 tetor 2025, Banka e Shqipërisë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB), organizuan workshop-in tematik “Taksonomia Kombëtare e Gjelbër: Parimet, qeverisja dhe ndërveprueshmëria me standardet e BE-së”, si pjesë e Programit të Asistencës Teknike për Sistemet Financiare të Gjelbëra.
Aktiviteti u çel nga Zëvendësguvernatorja e Dytë e Bankës së Shqipërisë, znj. Natasha Ahmetaj, dhe përfaqësuesi i EIB në Shqipëri, z. Alessandro De Concini, me pjesëmarrjen e anëtarëve të Komitetit të ESG-së të sektorit bankar, përfaqësuesve të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, Shoqatës Shqiptare të Bankave, institucioneve publike dhe partnerëve ndërkombëtarë.
Në fjalën e saj përshëndetëse, Zëvendësguvernatorja Ahmetaj theksoi se “Taksonomia e Gjelbër është një sistem klasifikimi që tregon se cilat opsione investimi janë të qëndrueshme në aspektin mjedisor. Zhvillimi i Taksonomisë Kombëtare të Gjelbër është pjesë e proceseve integruese në të cilat Banka e Shqipërisë është përfshirë në kuadrin e detyrimeve që burojnë nga Kapitulli 9 – Shërbimet Financiare.”. Ajo shtoi se “ky zhvillim përfaqëson një hap të ri drejt harmonizimit të plotë të sistemit financiar shqiptar me standardet evropiane. Hartimi i Taksonomisë së Gjelbër për Shqipërinë siguron një instrument thelbësor për orientimin e kapitalit drejt investimeve me ndikim mjedisor e klimatik pozitiv. Ajo shkon përtej një detyrimi institucional apo formaliteti teknik, duke u shndërruar në një mundësi reale për transformimin e qëndrueshëm të ekonomisë në përputhje me objektivat kombëtare, si dhe mbrojtjen e sektorit financiar” .
Përfaqësuesi i Bankës Evropiane të Investimeve në Shqipëri, z. Alessandro De Concini, vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë me Bankën e Shqipërisë dhe rezultatet konkrete të arritura deri më tani. Ai theksoi se: “Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm në ndërtimin e një agjende gjithëpërfshirëse të financave të gjelbra, përmes zbatimit të Strategjisë së saj të Gjelbër, publikimit të udhëzuesit për bankat mbi menaxhimin e rreziqeve klimatike dhe zhvillimit të stres-testit mbi rreziqet e tranzicionit, si dhe nismës për krijimin e Komitetit të ESG-së, që përfaqëson një praktikë të mirë ndërkombëtare.”
Gjatë punimeve të workshop-it u trajtuan struktura e qeverisjes së taksonomisë, parimet dhe kriteret e zhvillimit e përzgjedhjes së sektorëve ekonomikë, si dhe modalitetet e integrimit të elementeve të përshtatjes klimatike. Diskutimet nënvizuan rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe një qasjeje të koordinuar ndërmjet institucioneve publike, sektorit bankar, shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, për sigurimin e një procesi gjithëpërfshirës dhe transparent, të mbështetur në ekspertizën më të mirë vendase dhe ndërkombëtare.
Ky aktivitet përfaqëson një tjetër hap përpara në procesin e tranzicionit të gjelbër të sistemit financiar shqiptar dhe afirmon rolin udhëheqës të Bankës së Shqipërisë në nxitjen e politikave të qëndrueshme, integrimin e rreziqeve klimatike në tregjet financiare dhe përafrimin me standardet evropiane për financat e gjelbra.





