BSH përgatit disa ndryshime në rregulloren “Për administrimin e rrezikut operacional”. Projektrregullorja e re parashikon që subjekt i kësaj rregulloreje tashmë do të jenë vetëm subjektet financiare jobanka, si dhe shoqëritë e kursim-kreditit dhe unionet e tyre, të licencuara nga Banka e Shqipërisë.
Ndërkohë, bankat, institucionet e parasë elektronike dhe institucionet e pagesave do të jenë subjekt i një rregulloreje të posaçme, që parashikon masa më të detajuara në administrimin e rrezikut operacional.
Por, pavarësisht kësaj, Banka e Shqipërisë, bazuar në vlerësimet e saj mbikëqyrëse lidhur me volumin dhe kompleksitetin e veprimtarisë, apo nivelin e ekspozimit ndaj rrezikut operacional, mund të vendosë që subjekte financiare jobanka apo shoqëri kursim-krediti të caktuara, që janë subjekte të kësaj rregulloreje, të bëhen subjekte të rregullores “Për administrimin e rrezikut operacional nga bankat, institucionet e pagesave dhe institucionet e parasë elektronike” Në këtë rast, BSH do të përcaktojë një afati kohor brenda të cilit subjekti duhet të sigurojë plotësimin e kërkesave të rregullores së mësipërme.
Ndryshimet në rregulloren “Për administrimin e rrezikut operacional” përfshijnë disa detajime në përkufizimet e rrezikut strategjik dhe operacional, si edhe saktësojnë përgjegjësitë e hallkave përkatëse drejtuese në lidhje me zbatimin e kërkesave të kësaj rregulloreje.
