Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Bashkimi Evropian (BE) mbështesin sektorin financiar në Shqipëri me një paketë të re financimi prej 4 milionë eurosh për ProCredit Bank Albania. Këto hua do të rrisin qasjen në financime për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM), do të nxisin transformimin dixhital dhe do të promovojnë përfshirjen gjinore në vend.
Paketa përbëhet nga dy komponentë:
Një hua deri në 3 milionë euro në kuadër të programit Go Digital në Ballkanin Perëndimor. Këto fonde do t’u jepen hua SME-ve të përzgjedhura, duke ofruar financim të specializuar për automatizimin, dixhitalizimin, konkurrueshmërinë dhe teknologjitë e gjelbra. Të paktën 60 përqind e të ardhurave do të investohen në projekte automatizimi dhe dixhitalizimi, dhe të paktën 60 përqind e investimeve totale do të jenë në përputhje me qasjen e BERZH për Tranzicionin e Ekonomsë së Gjelbër (GET). SME-të që do të marrin kredi do të përfitojnë nga grantet e financuara nga BE deri në 10 përqind të shumës së kredisë, si dhe nga një paketë gjithëpërfshirëse asistence teknike, përmes Platformës për Investime në Ballkanin Perëndimor, Western Balkans Investment Framework (WBIF).
Një hua deri në 1 milion euro në kuadër të programit Western Balkans Women in Business. Kjo hua synon të promovojë sipërmarrjet e grave dhe pjesëmarrjen e tyre në biznes duke rritur qasjen në financime dhe njohuri për SME-të e drejtuara nga gratë. Kjo kredi mbështetet nga BE përmes EFSD+, duke siguruar mbulim të riskut të humbjes së parë për ProCredit deri në 10 përqind të shumës së kredisë, gjë që do të ndihmojë në lehtësimin e qasjes në financime. Programi përfshin gjithashtu një paketë bashkëpunimi teknik, që synon ndërtimin e kapaciteteve si në ProCredit ashtu edhe në SME-të e drejtuara nga gratë.
Ekaterina Solovova, Drejtoresha e BERZH për Shqipërinë, tha: “Bizneset e vogla dhe gratë sipërmarrëse janë thelbësore për ekonominë e Shqipërisë. Kjo paketë financimi për ProCredit Bank Albania do të ndihmojë bizneset vendase të investojnë në inovacion, qëndrueshmëri dhe transformim dixhital, duke u siguruar njëkohësisht që ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë të kenë qasje më të madhe në financime dhe njohuri teknike.”
Silvio Gonzato, Ambasadori i BE në Shqipëri, tha: “Bashkimi Evropian është një partner krenar në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Shqipëri, të cilat janë shtyllë e ekonomisë dhe thelbësore për zhvillimin e vazhdueshëm ekonomik të vendit. Ne presim ta shohim këtë mbështetje të përkthehet në rritjen e financimeve për bizneset inovative, të gjelbra dhe dixhitale, me një fokus të veçantë në fuqizimin e grave sipërmarrëse. Gratë janë udhëheqëse dhe sipërmarrëse të shkëlqyera. Prandaj, rritja e financimeve për gratë nuk është vetëm një çështje barazie, por edhe një investim i zgjuar që i sjell përfitime për gjithë ekonominë.”
ProCredit Bank Albania, pjesë e grupit ProCredit Holding, është e njohur për mbështetjen e fortë për SME-të dhe angazhimin për të çuar përpara investimet e gjelbra dhe me efikasitet energjetik. Si partner afatgjatë të BERZH, ProCredit Bank ka një historik të suksesshëm në përdorimin e linjave të kredive të BERZH.
Mirsad Haliti, CEO i ProCredit Bank Albania, tha: “Përmes kësaj nisme me BERZH, ne po përforcojmë angazhimin tonë të përbashkët për të ndihmuar SME-të të investojnë në inovacion, qëndrueshmëri dhe transformim dixhital. Së bashku, po sigurohemi që ndërmarrjet e udhëhequra nga gratë të kenë akses më të madh në financime, burime dhe njohuri që u nevojiten për t’u rritur, për të konkurruar dhe për të udhëhequr tranzicionin drejt një ekonomie më të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse.”
BERZH është investitor institucional kryesor në Shqipëri, duke investuar më shumë se 2.3 miliardë euro në 173 projekte deri më sot.
