Komisioni Evropian ka vendosur të shtyjë prezantimin e Sistemit të Hyrje/Daljes (EES), regjistri i automatizuar i Bllokut për udhëtarët me qëndrim të shkurtër që pritej të hynte në fuqi më 10 nëntor. Njoftimi u bë nga Komisionerja për Punët e Brendshme, Ylva Johansson, në përfundim të takimit të ministrave të brendshëm të BE-së të enjten, ku u diskutua për këtë çështje.
“10 Nëntori ra si mundësi ,” u tha Johansson gazetarëve, duke vënë në dukje se Gjermania, Franca dhe Holanda kishin deklaruar se ishin të papërgatitur. “Shpresoj se mund të fillojmë sa më shpejt që të jetë e mundur, por nuk ka një afat kohor të ri deri më tani. Kjo varet gjithashtu nga vlerësimi ligjor që do të bëjmë dhe ne jemi duke punuar për këtë”. Johannson foli për “disa shqetësime në lidhje me qëndrueshmërinë e sistemit”.
BE-ja mund të paraqesë një mënyrë alternative me faza “me një hyrje të vogël hap pas hapi në sistem, jo një shpërthim të të gjitha pikave të kalimit kufitar në të njëjtën kohë.” Megjithatë, kjo qasje nuk parashikohet në rregulloren aktuale dhe do të kërkoheshin “ndryshime të posaçme” në tekstin ligjor për ta realizuar atë. Sidoqoftë, theksoi ajo, prezantimi gradual nuk do të fillonte më 10 nëntor.
Çfarë është sistemi i hyrje/daljes (EES)?
EES është një reformë gjithëpërfshirëse që daton që nga viti 2016 dhe është vonuar vazhdimisht. Qëllimi i tij kryesor është të modernizojë kontrollet në kufijtë e jashtëm të BE-së dhe të zëvendësojë vulosjen tradicionale fizike të pasaportave. Ai do të zbatohet për qytetarët jashtë BE-së që vijnë në Bllok për vizita, pushime ose udhëtime pune dhe qëndrojnë për një kohëzgjatje totale deri në 90 ditë brenda një periudhe 180 ditore.
Sapo sistemi të fillojë të funksionojë, vizitorët do të duhet të japin pasaportat e tyre në mbërritje, së bashku me fotografimin e fytyrës dhe skanimin elektronik të gjurmëve të gishtërinjve.Të gjitha hyrjet dhe daljet nga Zona Shengen pa pasaportë do të regjistrohen. Mbledhja e të dhënave biometrike dhe shkëmbimi i informacionit në kohë reale kanë për qëllim të ndihmojnë autoritetet të targetojnë ata që i kalojnë vizat afatshkurtra dhe kryejnë mashtrime me identitetin.
Të gjitha shtetet anëtare, përveç Qipros dhe Irlandës, si dhe katër vende të asociuara në Shengen, Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra do të marrin pjesë në skemë. Pasaportat në Qipro dhe Irlandë do të vazhdojnë të vulosen manualisht. /ekofin.al

