Bashkimi Europian ka miratuar zbatimin e marrëveshjes tregtare me Shtetet e Bashkuara, pavarësisht pasigurive të vazhdueshme në marrëdhëniet transatlantike dhe tensioneve politike mes Brukselit dhe administratës së Donald Trump.
Negociatorët europianë arritën marrëveshjen pas orësh të gjata diskutimesh në Strasburg, duke i hapur rrugë hyrjes në fuqi të paktit tregtar të dakordësuar verën e kaluar mes Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, dhe Presidentit amerikan, Donald Trump.
Marrëveshja synon të shmangë një përshkallëzim të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha perëndimore. Sipas saj, BE-ja do të heqë shumicën e tarifave doganore për produktet amerikane, ndërsa SHBA do të vendosë një tavan prej 15% për tarifat ndaj mallrave europiane. Gjithashtu, tarifa amerikane prej 50% për çelikun europian pritet të reduktohet në 15% deri në fund të vitit.
Megjithatë, marrëveshja është shoqëruar me debate të forta politike në Parlamentin Europian. Shumë eurodeputetë kanë kundërshtuar presionin e ushtruar nga Uashingtoni, duke argumentuar se procesi legjislativ europian nuk mund të diktohet nga kërcënimet për tarifa më të larta.
Për të mbrojtur interesat europiane, në tekst janë përfshirë disa mekanizma sigurie. Një prej tyre është “Sunset Clause”, që parashikon skadimin automatik të marrëveshjes në mars 2028, nëse ajo nuk rinovohet. Një tjetër mekanizëm i lejon Brukselit të pezullojë marrëveshjen në rast se SHBA shkel angazhimet ose ndërmerr masa të njëanshme kundër vendeve europiane.
Komisioneri europian për Tregtinë, Maroš Šefčovič, deklaroi se marrëveshja demonstron se Bashkimi Europian mbetet “një partner i besueshëm” në tregtinë globale, ndërsa kreu i Komitetit të Tregtisë në Parlamentin Europian, Bernd Lange, theksoi se interesat europiane janë mbrojtur gjatë negociatave.
Marrëdhëniet mes BE-së dhe SHBA-së kanë kaluar muaj të tensionuar, të ndikuara nga mosmarrëveshjet për tarifat, luftën në Ukrainë, politikat industriale dhe deklaratat e Trump mbi Groenlandën dhe NATO-n. Megjithatë, të dy palët kanë zgjedhur të ruajnë stabilitetin ekonomik në një marrëdhënie tregtare që kap vlerën e rreth 1.8 trilionë eurove në vit. /Përshtati nga Euronews, ekofin.al
