Hyrja në treg e bankës së parë plotësisht digjitale në vend shënon një fazë të re në modernizimin e sektorit financiar shqiptar.
Sektori bankar në Shqipëri po përjeton ndryshime të rëndësishme, ndërsa kalimi drejt shërbimeve financiare digjitale po transformon mënyrën se si klientët administrojnë paratë e tyre dhe se si bankat konkurrojnë për t’i tërhequr ata.
Banka e Shqipërisë po ndihmon në përshpejtimin e këtij tranzicioni përmes modernizimit të infrastrukturës kombëtare të pagesave dhe reformave rregullatore që synojnë nxitjen e inovacionit dhe konkurrencës.
Holta Zaçaj, zëvendësguvernatore e parë e Bankës së Shqipërisë, e sheh digjitalizimin “jo thjesht si një çështje të përmirësimit teknologjik”, por si një “themel për zhvillimin ekonomik afatgjatë të vendit tonë, përfshirjen financiare dhe ndërtimin e besimit tek institucionet financiare”.
Bazat e kësaj të ardhmeje digjitale po ndërtohen pjesërisht përmes një sërë reformash ligjore dhe përmirësimesh të infrastrukturës kombëtare të pagesave, të cilat po zbatohen nga banka qendrore.
Vënia në funksionim e sistemit AIPS EURO në vitin 2022 i bëri transfertat e brendshme në euro më të shpejta dhe më të lira, ndërsa anëtarësimi i Shqipërisë në Zonën Unike të Pagesave në Euro (SEPA), në tetor 2025, uli kostot e pagesave ndërkufitare në euro.
Një sistem i ri pagesash të menjëhershme, i bazuar në modelin europian TIPS, pritet të bëhet funksional në Shqipëri në nëntor, duke mundësuar kryerjen e transaksioneve në çdo orë të ditës, shtatë ditë të javës.
Paralelisht me përmirësimet infrastrukturore, miratimi i legjislacionit për shërbimet e pagesave, të përafruar me atë të Bashkimit Europian, ka krijuar bazën për zhvillimin e open banking (bankingut të hapur) dhe rritjen e konkurrencës nga ofruesit financiarë jobankarë.
Ndryshimet në treg po krijojnë mundësi për hyrjen e operatorëve të rinj në sistemin financiar shqiptar. Një prej tyre është Jet Bank, e cila nisi aktivitetin në qershor si banka e parë plotësisht digjitale në Shqipëri, me një model funksionimi pa degë fizike, të ndërtuar nga e para.
“Përvoja jonë tregon se hyrja në tregun bankar shqiptar është e mundur kur ofron një propozim bindës dhe kryen përgatitjet e duhura. Ne duhej të demonstronim qeverisje të shëndoshë, kontrolle të forta dhe gatishmëri operacionale, siç kërkohet nga çdo bankë”, thotë Fatbardha Rino, drejtoreshë ekzekutive e Jet Bank.
Jet Bank e ka ndërtuar veprimtarinë e saj mbi teknologjinë e ofruar nga partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Backbase për platformën e bankingut digjital dhe Oracle për sistemin bazë bankar.
“Ne shohim se kërkesa më e madhe e paplotësuar është te shërbimet bankare të përditshme, veçanërisht tek ata njerëz që kanë një llogari bankare, por vazhdojnë ta kenë administrimin e parave më të ndërlikuar ose që u merr më shumë kohë sesa duhet. Të kesh një llogari bankare dhe të marrësh një shërbim të mirë nuk janë gjithmonë e njëjta gjë”, shprehet Rino.
Sipas saj, modeli i Jet Bank si e vetmja bankë plotësisht digjitale në Shqipëri “na lejon ta ndërtojmë shërbimin rreth nevojave të klientëve, duke reduktuar dokumentacionin dhe nevojën për të vizituar një degë bankare. Klientët kanë gjëra më të rëndësishme për të bërë sesa të organizojnë ditën e tyre sipas orarit të bankës”.
Hapësirë e konsiderueshme për zgjerim
Megjithatë, bankat shqiptare vazhdojnë të përballen me një ekonomi që mbështetet gjerësisht te përdorimi i parasë fizike.
Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë vitit 2025 u kryen mesatarisht vetëm 29 pagesa elektronike për çdo të rritur, ndërsa pagesat me para në dorë vazhdojnë të dominojnë te bizneset e vogla.
Kjo tregon se ka ende hapësirë të konsiderueshme për zgjerimin e shërbimeve bankare digjitale.
Për këtë arsye, bankat ekzistuese po investojnë në shërbime të reja dhe po modernizojnë teknologjinë e tyre, duke përfshirë edhe përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) për thjeshtimin e proceseve dhe përmirësimin e eficiencës.
Në Bankën Kombëtare Tregtare (BKT), transaksionet e kryera në degët fizike pothuajse janë përgjysmuar gjatë tre-katër viteve të fundit, ndërsa transaksionet digjitale janë dyfishuar.
“Transformimi digjital ka qenë një prioritet strategjik për BKT-në dhe tashmë po jep rezultate konkrete”, thotë Fatih Karlı, zëvendësdrejtor ekzekutiv i bankës.
BKT po përdor inteligjencën artificiale për përpunimin e dokumenteve dhe funksione të tjera të brendshme, ndërsa gradualisht po e zgjeron përdorimin e saj edhe në shërbimet që u ofrohen drejtpërdrejt klientëve.
Sipas Karlı, banka po kalon nga një model ku përparësi kanë shërbimet përmes telefonit celular (mobile-first), drejt një organizate që vendos inteligjencën artificiale në qendër të funksionimit të saj (AI-first), duke i kushtuar rëndësi testimit të kujdesshëm dhe mbikëqyrjes njerëzore.
Zhvillime të ngjashme po ndodhin në të gjithë sektorin, ku bankat po investojnë ndjeshëm në teknologjitë që mbështesin veprimtarinë e tyre.
OTP Bank Albania po modernizon sistemet bazë bankare dhe të pagesave, po automatizon proceset dhe po prezanton një platformë të re digjitale.
Synimi është krijimi i një “banke që mbështetet më shumë te të dhënat, duke mundësuar vendimmarrje më të shpejtë dhe përvoja më të personalizuara për klientët”, thotë Bledar Shella, drejtor ekzekutiv i OTP Bank Albania. /Përshtati nga The Banker, ekofin.al
