Standardet e kreditimit për bizneset kanë mbetur përgjithësisht të pandryshuara gjatë tremujorit të tretë të vitit 2025, sipas anketës më të fundit të Bankës së Shqipërisë mbi aktivitetin kredidhënës. Bankat raportuan se nuk kanë bërë ndryshime të ndjeshme në qasjen ndaj kredive për biznesin e madh, si për investime ashtu edhe për mbulimin e nevojave për likuiditet.
Megjithatë, për bizneset e vogla dhe të mesme (SME), standardet janë lehtësuar disi, duke reflektuar konkurrencën e shtuar në treg dhe përmirësimin e kushteve të bilanceve bankare.
Në kahun lehtësues të standardeve kanë ndikuar kostot dhe kufizimet më të ulëta financiare, si dhe trysnia konkurruese mes bankave, ndërsa në kahun shtrëngues ka ndikuar perceptimi mbi rrezikun e aftësisë paguese të kredimarrësve.
Për tremujorin e fundit të vitit, bankat presin që standardet të mbeten të pandryshuara për bizneset e mëdha, por të lehtësohen më tej për SME-të.
Kushtet dhe termat e kredisë
Sipas Bankës së Shqipërisë, kushtet dhe termat e përgjithshëm të kredive të reja për bizneset kanë mbetur praktikisht të pandryshuara.
Në të njëjtën kohë, bankat raportojnë marzhe më të larta në kreditë me rrezik, për shkak të një tolerance më të ulët ndaj riskut. Elementët e tjerë çmimorë dhe joçmimorë – si normat e interesit, periudhat e shlyerjes apo kërkesat për kolateral – kanë shënuar ndryshime minimale.
Shkalla e miratimit dhe refuzimeve
Në tremujorin e tretë është vërejtur një rritje e shkallës së miratimit të kredive për bizneset, ndërsa raporti i refuzimeve ka rënë lehtë.
Sipas bankave, përmirësimi i situatës financiare të bizneseve ka ndikuar në këtë trend pozitiv.
Megjithatë, mungesa e kolateralit të përshtatshëm dhe historiku i mëparshëm i kreditimit vijojnë të mbeten faktorët kryesorë që çojnë në refuzimin e aplikimeve për kredi.
Kërkesa për kredi
Kërkesa totale për kredi nga bizneset është raportuar thuajse e pandryshuar, por me një ndarje të qartë mes segmenteve.
Bizneset e vogla dhe të mesme kanë shfaqur kërkesë më të lartë për financim, veçanërisht për mbulimin e nevojave afatshkurtra për likuiditet, ndërsa bizneset e mëdha kanë kërkuar më pak kredi për investime.
Në vlerësimin e bankave, rritja e kërkesës është nxitur nga nevojat për financimin e inventarëve dhe kapitalit qarkullues, si dhe besimi më i lartë i biznesit në ecurinë ekonomike.
Në anën tjetër, përdorimi i burimeve të brendshme të financimit dhe niveli ende i lartë i normave të interesit kanë ndikuar në frenimin e kërkesës për hua.
Pritjet për fundin e vitit
Bankat presin që në tremujorin e katërt të vitit 2025, kërkesa për kredi të shtohet si për bizneset e vogla dhe të mesme, ashtu edhe për ato të mëdha, si për investime ashtu edhe për kapital qarkullues.
Ky zhvillim pritet të mbështetet nga stabilizimi makroekonomik dhe pritshmëritë për ulje graduale të normave të interesit gjatë vitit 2026. /ekofin.al

