Financat e gjelbra, përfshirja financiare, mbështetja e bizneseve të vogla dhe të mesme, por edhe edukimi financiar dhe digjital pritet të jenë disa nga fushat ku Banka e Shqipërisë dhe Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP) mund të forcojnë bashkëpunimin.
Mundësitë për zgjerimin e këtij bashkëpunimi u diskutuan gjatë një takimi të Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, me Përfaqësuesen e Përhershme të UNDP-së në Shqipëri, Randi Davis. Në fokus të bisedimeve ishin gjithashtu zhvillimet ekonomike në vend dhe nismat e ndërmarra nga banka qendrore.
Sipas njoftimit të Bankës së Shqipërisë, Sejko paraqiti një panoramë të zhvillimeve të fundit ekonomike dhe financiare, duke nënvizuar se stabiliteti i çmimeve dhe stabiliteti financiar mbeten në qendër të veprimtarisë së institucionit. Në këtë drejtim, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë konsiderohet i rëndësishëm edhe për përballimin e sfidave të reja të ekonomisë.
Një pjesë e rëndësishme e diskutimeve iu kushtua ndikimit të ndryshimeve klimatike në sektorin financiar. Përfaqësuesja e UNDP-së vuri në dukje se disa prej nismave të ndërmarra gjatë viteve të fundit nga Banka e Shqipërisë përputhen me prioritetet e projekteve të zhvillimit të UNDP-së, veçanërisht në drejtim të qëndrueshmërisë, përfshirjes financiare dhe përshtatjes ndaj ndryshimeve klimatike.
Banka e Shqipërisë po punon për integrimin e faktorëve mjedisorë dhe klimatikë në sektorin financiar. Sipas Guvernatorit, trajtimi i rreziqeve që burojnë nga ndryshimet klimatike dhe promovimi i financave të gjelbra po marrin një rëndësi gjithnjë e më të madhe për qëndrueshmërinë e sistemit financiar.
Në këtë drejtim mund të ketë edhe një angazhim më të madh të UNDP-së. Davis shprehu gatishmërinë e organizatës për të mbështetur iniciativa që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit dhe kapaciteteve të aktorëve të sektorit financiar për çështjet klimatike dhe mjedisore.
Një tjetër hapësirë bashkëpunimi mes dy institucioneve lidhet drejtpërdrejt me biznesin, veçanërisht me ndërmarrjet e vogla dhe të mesme.
Përfaqësuesja e UNDP-së evidentoi punën e organizatës për rritjen e edukimit financiar të SME-ve në Shqipëri. Kjo u konsiderua si një fushë me potencial për shkëmbimin e eksperiencave dhe zhvillimin e nismave të përbashkëta, sidomos për përmirësimin e aksesit të bizneseve në financim dhe forcimin e kapaciteteve të tyre.
Aksesi në financim mbetet një nga elementët me ndikim të drejtpërdrejtë në mundësinë e ndërmarrjeve të vogla për të investuar, zgjeruar aktivitetin apo për të përballuar proceset e transformimit teknologjik dhe të përshtatjes me kërkesat e reja të tregut.
Në takim u diskutua gjithashtu edukimi financiar dhe digjital i publikut. Guvernatori Sejko vlerësoi se rritja e kulturës financiare është e rëndësishme për forcimin e përfshirjes financiare dhe përdorimin e sigurt të shërbimeve financiare.
Në këtë kuadër, ai prezantoi programet e Bankës së Shqipërisë për edukimin financiar, por edhe nismat që lidhen me zhvillimin e sistemeve të pagesave dhe forcimin e sigurisë kibernetike.
Transformimi i pagesave dhe përdorimi gjithnjë e më i madh i kanaleve digjitale e kanë bërë edukimin financiar të lidhur ngushtë edhe me njohuritë digjitale dhe me sigurinë e përdoruesve. Kjo merr rëndësi të veçantë si për individët, ashtu edhe për bizneset e vogla, të cilat po përdorin gjithnjë e më shumë shërbimet financiare në distancë.
Një tjetër pikë e diskutimit ishte procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Sejko e cilësoi integrimin evropian si një prioritet strategjik, ndërsa Davis vuri theksin te nevoja për mbështetjen e reformave institucionale dhe përafrimin e politikave me standardet e BE-së.
Në përfundim të takimit, Banka e Shqipërisë dhe UNDP shprehën gatishmërinë për të forcuar bashkëpunimin në disa drejtime konkrete: financat e gjelbra, edukimi financiar dhe digjital, sistemet e pagesave, mbështetja e SME-ve dhe përballimi i sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm. /ekofin.al
