Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku mori pjesë në një takim në qytetin e Vlorës me fokus ecurinë e projekteve strategjike në fushën e transportit, kryesisht në Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës dhe zhvillimin e portit të këtij qyteti, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama.
Balluku njoftoi sot se më 8 Maj do të kryhet fluturimi i parë nga Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës, i cili do të jetë testi i parë i këtij aeroporti.
Zëvendëskryeministrja deklaroi se ndërtimi dhe bërja funksional i Aeroportit të Vlorës do të krijojë 1200 vende pune për të gjithë ata persona që duan të punojnë dhe kontribuojnë në sektorin e Aviacionit Civil.
Në fjalën e saj, Balluku u ndal edhe te zhvillimi i porteve.
“Ndonëse Shqipëria ka 350 km vijë bregdetare në detin Adriatik dhe detin Jon, nuk ishte pjesë e korridoreve të transportit ndërkombëtar dhe as e njohur si një nyje logjistike e rëndësishme pavarësisht lokacionit gjeografik që Shqipëria ka”, tha ajo.
Portet shqiptare nuk janë më pika të izoluara në bregdet, por nyja të lidhura ngushtë me rrugët, hekurudhat, korridoret e autostradave, të cilat tashmë janë korridore të njohura nga stoku i korridoreve paneuropiane duke i kthyer në nyje aktive dhe pjesë të qenësishme të ekonomisë shqiptare dhe jo më të izoluara” – shtoi Balluku.
Balluku u ndal edhe tek porti i Durrësit, i cili do të kthehet në një marinë ku do të hapen 12 mijë vende pune, do të ndërtohen 5 hotele me 5 yje dhe do ta kthejë Shqipërinë në një pol magnetik për transportin dhe turizmin detar.
Sipas shifrave zyrtare, “në këtë 10-vjeçar në portin e Durrësit kemi pasur një rritje prej 51% të volumit të përpunuar, pra 2014-2024 nga 3,7 milionë tonë në 7,4 milionë tonë. Në terminalin e kontejnerëve në 10 vitet e fundit nga 99 mijë TEU në 196 mijë TEU.
Ndërsa, po t’u referohemi pasagjerëve kemi 8,5 milionë pasagjerë në 10 vitet e fundit dhe në Durrës janë ankoruar 165 kroçera, të cilat korrespondojnë në 54 mijë turistë”, shtoi ajo.
Po ashtu Balluku njoftoi se “jemi në prag të nisjes së një kantieri të fuqishëm, portit tregtar të Porto Romanos, i cili është i vendosur vetëm pak milje nga qyteti i Durrësit, por i vendosur në një zonë industriale prej 400 hektarësh, ku parashikohet të ndërtohet porti më i madh në rajon, por edhe kantieri më i madh në Europë sa i përket industrisë detare”.