Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) ka hapur një tjetër tender sinjalistike, pas tre procedurave që hapi javën e kaluar dhe që kishin në total fond limit rreth 587 milionë lekë pa TVSH.
Procedura më e fundit ka të bëjë me përmirësimin e sinjalistikës horizontale, vertikale dhe pajisjeve të sigurisë rrugore në akset e Rajonit Qendër-Lindje, loti 4.
Tenderi parashikon një fond limit prej rreth 119 milionë lekë pa TVSH, ndërsa afati i zbatimit të kontratës është 6.5 muaj.
Sipas njoftimit, projekti i ndarë në disa segmente rrugore të rëndësishme përfshin:
Segmenti Gramsh – Mollë Grabovë – Strelcë (SH71), me gjatësi 55.3 km
• Zëvendësim dhe saktësim i sinjalistikës vertikale;
• Rifreskim dhe plotësim i vijëzimeve anësore, mesit të rrugës, kalimeve për këmbësorë, ishujve të trafikut;
• Vendosje barrierash mbrojtëse dhe aksesorësh të tjerë të sinjalistikës.
Segmenti Bilisht – Miras (15 km)
• Të njëjtat ndërhyrje në sinjalistikë si në segmentin e parë;
• Shtim i aksesorëve të nevojshëm për sigurinë rrugore;
Ndriçim rrugor në degëzimet e rrezikshme në aksin Q. Plloçë – Korçë (SH3)
• Përfshin ndriçimin në 7 degëzime: Q. Plloçë, Leshincë 2, Veliternë, Shqitas, Sovjan, Lumalas dhe Korçë/Bilisht
Ofertat nga operatorët ekonomikë mund të paraqiten deri më 17 korrik 2025, ora 11:00.
ARRSH thekson se këto ndërhyrje synojnë të rrisin sigurinë rrugore dhe të përmirësojnë orientimin e përdoruesve të rrugëve në një zonë me intensitet të lartë qarkullimi dhe nyje të rrezikshme. /ekofin.al



