4.6 miliardë lekë apo 46 milionë euro është fondi limit me të cilin Autoriteti Rrugor Shqiptar ka hapur tenderat për 2 projekte të reja infrastrukturore. Rehabilitimi i aksit rrugor Fier – Kthesa e Patosit – Ballsh – Fratar është projekti i parë, ndërsa projekti i dytë përfshin aksin kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut, me fonde e vëna në dispozicion me ndryshimet e fundit në buxhetin e shtetit.
Sipas dokumenteve të tenderit, aktualisht rruga Fier – Fratar është në gjendje tejet të amortizuar, kjo për shkak të mungesës së gjatë të investimeve. Gjithashtu argumentohet se si pasojë e zhvillimeve demografike të ndodhura në 20 vitet e fundit, kjo rrugë në disa pjesë të saj kalon në qendrat e banuara, rritja e të cilave në numër popullsie dhe mungesa e investimeve, në rrugë, ka çuar njëkohësisht edhe në rritjen e numrit të aksidenteve rrugore.
Ndërkaq, segmenti ku do të ndërhyhet ka një gjatësi prej 43.6 km, përfshirë qytetin e Ballshit, me gjatësi prej 0.9 km. Pjesa tjetër ndahet në 3 segmente, ku i pari nis nga Fieri, deri në Kthesën e Patosit, me gjatësi 5.9 km. Segmenti i dytë përfshin aksin kthesa e Patosit – Hyrje Ballsh, me një gjatësi 17.2 km, ndërsa i treti salje Ballsh – Fratar, me një gjatësi 19.6 km.
Për sa i takon projektit të dytë për aksin kthesa e Bërdicës – Ura e Bahçallëkut, gjurma e segmentit është përcaktuar të zhvillohet mbi gjurmën e rrugës ekzistuese, por gjithsesi në zgjidhjen e re parashikohet realizimi i një ure të re, paralel me urën ekzistuese. Kjo urë do të lehtësojë trafikun që lëviz në drejtimin e Tiranës, ndërsa ura ekzistuese do të shërbejë vetëm për trafikun që lëviz në drejtimin e Shkodrës.
