Shoqëria “Arlis Ndërtim” ka reaguar zyrtarisht pas ngjarjes së rëndë të zjarrit që përfshiu pallatin e ndërtuar prej saj në zonën e “Farmacia 10” në Tiranë, duke shprehur solidaritet me banorët e prekur dhe duke marrë përsipër rindërtimin e plotë të dëmeve të shkaktuara në fasadë dhe në apartamentet e dëmtuara.
Në deklaratën për shtyp të datës 15 prill 2026, kompania shpreh mbështetjen e saj për familjet e prekura nga ngjarja, ndërsa thekson se objekti është ndërtuar në përputhje të plotë me lejen e ndërtimit të miratuar nga autoritetet përkatëse, pa asnjë shtesë katesh apo devijim nga projekti i aprovuar, me përjashtim të sistemeve anësore si verandat, të cilat sipas saj janë miratuar nga organet kompetente.
Shoqëria deklaron se të gjitha punimet janë realizuar duke respektuar standardet më të larta të ndërtimit dhe sigurisë, në përputhje me legjislacionin në fuqi, si dhe janë kontrolluar e certifikuar nga organet përkatëse. Sipas kompanisë, edhe për punimet e fasadës janë lidhur marrëveshje me subjekte tregtare të regjistruara pranë Qendrës Kombëtare të Biznesit, të cilat kanë marrë përsipër me përgjegjësi ligjore shërbimet e kontraktuara.
Më tej, “Arlis Ndërtim” sqaron se para nënshkrimit të kontratave ka kërkuar dhe disponon të gjitha certifikimet e materialeve sipas standardeve europiane dhe legjislacionit në fuqi, të vëna në dispozicion nga kontraktorët që kanë kryer punimet. Kompania nënvizon gjithashtu se për objektin janë kryer kolaudimi, certifikimi dhe të gjitha procedurat ligjore që prej vitit 2021, me dorëzimin e tyre në mënyrë të rregullt tek banorët, çka sipas saj konfirmon përmbushjen e të gjitha detyrimeve kontraktuale dhe ligjore.
Megjithatë, pavarësisht se deklaron se nuk mban përgjegjësi ligjore për ngjarjen, “Arlis Ndërtim” bën të ditur se, në kuadër të përgjegjësisë sociale dhe angazhimit ndaj banorëve, do të marrë përsipër me shpenzimet e veta rindërtimin e plotë të fasadës së dëmtuar nga zjarri, si edhe rikonstruksionin e apartamenteve të prekura, duke i kthyer ato në gjendjen fillestare, në të njëjtat kushte në të cilat u janë dorëzuar pronarëve.
Sipas kompanisë, ky angazhim synon të kontribuojë në rikthimin sa më të shpejtë të kushteve normale të jetesës për familjet e prekura dhe në minimizimin e pasojave të ngjarjes. Në të njëjtën kohë, shoqëria shprehet e hapur për bashkëpunim me institucionet përkatëse dhe grupet e ekspertëve për të sqaruar çdo rrethanë të ngjarjes dhe për të garantuar transparencë të plotë ndaj banorëve, institucioneve ligjzbatuese dhe opinionit publik.
Në përfundim të deklaratës së saj, “Arlis Ndërtim” siguron se do të vijojë të ndjekë me prioritet maksimal çdo hap të nevojshëm për përballimin e situatës dhe për rikthimin sa më të shpejtë të funksionalitetit të plotë të objektit. /ekofin.al

