Mohamed Alabbar, njeriu që po investon prej disa vitesh në Shqipëri me projektin Durrës Marina dhe me projekte në shumicën e vendeve të tjera në rajon, si në Serbi e Kroaci, i ka “ngulur sytë” së fundmi Malit të Zi. Pak ditë më parë, siç raportojnë mediat e vendit fqinj, biznesmeni arab, përmes kompanisë së tij të investimeve në pasuri të paluajtshme, Eagle Hills Properties, hyri në ankandet e zhvilluara për dhënien me qira për 4 vite të plazheve në zonën e Ulqinit. Falë ofertës më të lartë, Alabbar arriti të fitonte 10 plazhe, mes tyre edhe Velika Plaza, një nga plazhet më të gjata me rërë në Evropë.
Përfshirja e biznesmenit kontrovers arab ngjalli reagime të shumta të bizneseve dhe kompanive vendase, një pjesë e të cilave edhe shqiptarë, të cilët protestuan dhe u ankuan tek autoritetet se një veprim i tillë rrezikonte falimentimin e shumicës që kishin ndërtuar njësi akomoduese dhe hotele, pasi nuk do të kishin plazh në administrim.
Pas kundërshtive, Eagle Hills Properties tha se do të japë me qira përsëri çdo plazh që ka siguruar në ankandin e fundit të Malit të Zi tek operatorët origjinalë me të njëjtin çmim, duke përfshirë këtu Velika Plaza, 12 km e gjatë, një nga plazhet më të gjata me rërë në Evropë.
Eagle Hills vuri në dukje se vendimi i kryetarit Mohamed Alabbar për t’ua dhënë me qira plazhet ish-operatorëve të tyre lokalë, pasi rezultatet e tenderit të shpallen zyrtarisht, sinjalizon “qasjen e tij ndaj komunitetit për zhvillim, duke u përpjekur për bashkëpunim në të ardhmen dhe mundësi investimi”.
“Bukuria natyrore dhe trashëgimia kulturore e Malit të Zi janë thesare që duhen ruajtur,” u citua të thoshte Alabbar në deklaratën e kompanisë së tij. “Përmes kësaj qasjeje, ne synojmë të përmirësojmë infrastrukturën dhe të lartësojmë përvojën e plazhit, duke siguruar që turizmi dhe zhvillimi të përfitojnë si për komunitetin ashtu edhe për mjedisin.”
Eagle Hills Montenegro u regjistrua më 6 mars 2025, treguan të dhënat nga regjistri i bizneseve të Malit të Zi. Ajo drejtohet nga Hisham Mohamed Ibrahim Soliman dhe është 100% në pronësi të Jaona Investment LLC me bazë në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Investimi në Ulqin vjen pasi Eagle Hills po zhvillon një projekt prej 2 miliardë eurosh për ta kthyer portin më të madh të Shqipërisë atë të Durrësit në një marinë luksoze superjahtesh. Prej dy vitesh, në Durrës Marina ka nisur shitja e apartamenteve, edhe pse ato nuk janë ndërtuar. /ekofin.al
