Aksidenti tragjik i ndodhur një ditë më parë në autostradën Tiranë-Durrës, ku u përfshi një autobus dhe si pasojë humbën jetën disa persona, ndërsa të tjerë mbetën të plagosur, ka rikthyer në vëmendje një aspekt të rëndësishëm që shpesh mbetet në hije pas ngjarjeve të tilla: mbrojtjen që u garanton ligji pasagjerëve përmes sigurimit të detyrueshëm në transportin publik.
Përtej hetimeve për shkaqet e aksidentit dhe përgjegjësive përkatëse, ekspertët e sigurimeve kujtojnë se çdo qytetar që udhëton me autobus urban, autobus interurban, furgon të licencuar apo taksi duhet të jetë i mbuluar nga sigurimi i detyrueshëm i pasagjerëve, një mekanizëm i krijuar për të garantuar mbështetje financiare në rast aksidentesh.
Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë u rikujton qytetarëve këtë të drejtë ligjore, duke theksuar se shumë pasagjerë nuk janë në dijeni të mbrojtjes që u ofron sigurimi i detyrueshëm.
Sipas legjislacionit shqiptar, ky sigurim mbulon rastet e humbjes së jetës ose të paaftësisë së përhershme që mund të shkaktohen gjatë një aksidenti me mjet transporti publik. Mbrojtja nuk kufizohet vetëm në kohën kur pasagjeri ndodhet brenda mjetit, por shtrihet edhe gjatë hipjes dhe zbritjes.
Një element i rëndësishëm është se e drejta për përfitim nga sigurimi nuk lidhet domosdoshmërisht me përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit. Po ashtu, konsiderohen pasagjerë të siguruar edhe personat që ndodhen pranë autobusit apo furgonit për të hipur ose sapo kanë zbritur prej tij.
Shoqata e Siguruesve thekson gjithashtu se mbrojtja ligjore ekziston edhe në rastet kur pasagjeri nuk është pajisur ende me biletë, për sa kohë ndodhet në procesin normal të hipjes, udhëtimit ose zbritjes nga mjeti.
Ngjarja e rëndë në autostradën Tiranë-Durrës tregon se aksidentet rrugore mund të kenë pasoja dramatike dhe se, krahas masave për rritjen e sigurisë në qarkullim, është po aq e rëndësishme që qytetarët të njohin të drejtat e tyre në rast se bëhen viktima të një aksidenti.
Në të njëjtën kohë, Shoqata u bën thirrje të gjithë operatorëve të transportit publik urban dhe ndërurban, transportit të punonjësve, si edhe shërbimeve të taksive, të respektojnë detyrimin ligjor për pajisjen me sigurimin e pasagjerëve.
Sipas saj, sigurimi nuk duhet parë vetëm si një kërkesë administrative apo ligjore, por si një përgjegjësi ndaj çdo qytetari që zgjedh transportin publik për lëvizjet e përditshme.

